PD akuzon kryeministrin Rama se ka krijuar një sistem korrupsioni kapilar në qeveri dhe administratë mbi prokurimet.
Pas prezantimit të paketës së re ligjore për prokurimet nga Rama, përfaqësuesja e PD, Jorida Tabaku deklaroi në një konferencë për mediat se fajin për rastet korruptive në prokurimet publike nuk e kanë specialistët e ministrive të linjës por “sistemi që ka keq qeverisur Edi Rama”.
Tabaku deklaroi se prej vitit 2015 PD ka denoncuar se 1 në 3 tendera jepen pa garë ndërsa theksoi se tenderat e rindërtimit janë dhënë pa garë dhe në limitet e fondit.
Ajo solli gjithashtu në vëmendje tenderat e ministrisë së Mbrojtjes dhe Shëndetësisë gjatë pandemisë që janë dhënë gjithashtu pa garë.
Sipas PD, koncesionet me ofertë të pakërkuar që ka dhënë qeveria janë afera korruptive që Rama i ka mbrojtur publikisht.
Rama pas arrestimeve të fundit të SPAK të zyrtarëve publik, me akuzën e korrupsionit në tendera prezantoi ndryshimet e reja ligjore për prokurorimet publike.