Partia Demokratike Vlorë kallëzoi të hënën në SPAK Ministren e Infrastukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
PD e akuzon Ballukun për shkelje të procedurave të tenderimit në lidhje me koncesionin e Portit të Vlorës.
Me veprimet dhe mosveprimet e saj, PD pretendon se Balluku ka konsumuar veprën penale të abuzimit me detyrën.
Po ashtu pretendohet edhe shkelje e barazisë në pjesëmarrje në tenderat publik.
Përcaktimi i ofertës fituese, asaj të shoqërisë Marina di Valona, është bërë në kundërshtim me kriteret standarde të përcaktuara në tender, vijon denoncimi.
Diferenca mes ofertës fituese dhe ofertave të skualifikuara është e madhe, duke rezultuar në një dëm të konsiderueshëm ndaj buxhetit të shteti.
“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, drejtuar nga ministrja Balluku, ka përzgjedhur ofertën me vlerën më të shtrenjtë për këtë prokurim publik,” ka deklaruar PD në një konferencë për shtyp.
Koncesioni i Portit turistik të Vlorës do të ndërtohet nga kompania e hidrosanitareve Brunes dhe kompania e ndërtimit Ndregjoni shpk. Fituesit u shpallën nga Agjensia e Prokurorimit Publik. Koncesioni me vlerë rreth 23 milionë euro do të zgjasë 35 vite.
Agjensia e Prokurorimit Publik ka njoftuar se koncesioni u fitua nga bashkimi i tri kompanive: Marina di Valona, Brunes shpk dhe Ndregjoni shpk.