Partia Demokratike njoftoi të dielën se kallëzoi në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kompaninët Eurovia dhe Xpert Systems.
Kallëzimi është bërë për abuzimet e pretenduara në lidhje me tenderin 1,5 milionë eurosh për furnizimin me ushqime të rezerveve të shtetit.
Në një deklaratë shpërndarë mediave, PD shprehet se të kallëzuarit në SPAK i akuzon për korrupsion aktiv dhe pasiv, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
PD ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila duhet të argumentojë dhe dokumentojë përzgjedhjen e kompanive fituese, Eurovia dhe Xpert Systems “në kushtet kur asnjëra prej tyre nuk është e specializuar” për prokurimin në fjalë, por “kanë bërë shtimin e objektit të veprimtarisë vetëm disa ditë përpara hapjes së tenderit”.
Prej fundit të muajit mars, opozita akuzon qeverinë se duke shfrytëzuar procedurat e emergjencës i ka dhënë furnizimin me ushqime, me tender të paracaktuar dhe pa garë, kompanisë Eurovia, filial i një kompanie verio-maqedone.
Më 2 prill, Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka mohoi akuzat e opozitës për abuzime me tenderin dhe theksoi se gjithçka ishte kryer në përputhje me ligjin.
Xhaçka pati ftuar PD-në që për çdo pretendim t’i drejtohej prokurorisë.
Tre ditë më pas, opozita ka konkretizuar akuzat me kallëzim në SPAK.
PD shprehet se dy kompanitë nuk përmbushin kriterin ligjor të përvojës së ngjashme të furnizimit me ushqime në 3 vitet e fundit.
Po kështu dyshime ngre fakti se 6 ditë përpara hapjes së garës kompania Eurovia shtoi në aktivitetet e saj tregtimin e produkteve ushqimore.