PD kërkon verifikimin e kryebashkiakut të Mallakastrës: Dyshime për të shkuar kriminale

PD kërkon verifikimin e kryebashkiakut të Mallakastrës: Dyshime për të shkuar kriminale

Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë të verifikojë të shkuarën e Kryebashkiakut socialist të Mallakastrës Qerim Ismailaj, pasi ka informacione se ai ka qenë i arrestuar ose i ndaluar në Greqi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, në një letër për prokurorinë, shkruan se Qerim Ismailaj ka qenë i arrestuar ose i ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Këto të dhëna Qerim Ismailaj nuk i ka bërë publike në formularin e vetëdeklarimit, siç e kërkon ligji i dekriminalizimit.

Në rast se akuzat e opozitës verifikohen nga prokuroria, Qerim Ismailaj nuk mund të shërbejë më si kryebashkiak dhe duhet të ndiqet penalisht nga prokuroria.

Sipas nenit 5 të ligjit të Dekriminalizimit, fshehja e dënimit në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale:

“Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.”

Kjo vepër, sipas Kodit Penal “dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.”

Pas zgjedhjeve monopartiake të 30 qershorit, Partia Demokratike ka denoncuar dhe tre kryebashkiakë socialistë të tjerë me të shkuar kriminale, të cilët kanë falsifikuar formularët e dekriminalizimit.

Rasti i fundit ishte ai i kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, që rezultoi se ishte dënuar dhe dëbuar nga Greqia, teksa mbante një emër të rremë. Aktualisht ndaj Kajmakut është vendosur  masa e arrestit me burg në mungesë, pasi autoritetet nuk mundën ta arrestonin.

Përveç Kajmakut, demokratët kanë akuzuar edhe kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani dhe kandidatin për Shkodrën, Valdin Pjetri, ky i fundit u tërhoq nga marrja e mandatit pasi akuzat u vërtetuan.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>