Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Vorë Agim Kajmaku.
Kryebashkiaku socialist rezultoi se nuk kishte deklaruar arrestimin dhe hetimin në Greqi për përdorim parash të falsifikuar. Ai kishte pasur edhe identitet tjetër, Jorgo Toto. Sipas PD këto fakte të denoncuara prej saj u vërtetuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme:
“Për prokurorinë është e provuar se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Ai ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare.”
Përmes një kërkese dërguar KQZ-ës, PD i kujtoi Komisionit se “për mos-deklarimin e këtyre të dhënave në formularin e vetëdeklarimit […] bën që atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike”. Demokratët kanë sjellë në vëmendje edhe rastet e mëparshme të heqjes së mandateve ndërsa i kanë bërë thirrje KQZ:
“Anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”
Që prej muajit gusht PD ka denoncuar fshehjen e së shkuarës së kryebashkiakut Agim Kajmaku. Ky i fundit ka mohuar të jetë arrestuar, apo hetuar. Përveç Kajmakut, demokratët kanë akuzuar edhe dy socialistë të tjerë, kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani dhe kandidatin për Shkodrën, Valdin Pjetri, ky i fundit u tërhoq nga marrja e mandatit pasi akuzat u vërtetuan.