Partia Demokratike mbështeti vendimin e presidentit Ilir Meta të mërkurën, për mos miratimin e zgjatjes së koncesionit të aeroportit Nënë Tereza me 13 vite.
Përfaqësuesja e PD Jorida Tabaku u shpreh se PD “do të zhbëjë të gjitha koncesionet” dhe shtoi se PD do të heq ligjin që “favorizon me përjashtime nga renta minerare, ligjin që favorizon oligarkët që marrin jahte pa TVSH”.
Në emër të Partisë Demokratik ajo përshëndeti kthimin e ligjit nga ana e presidentit.
“Kryetari i Partisë Demokratike ka qenë i qartë dhe i prerë për këtë çështje dhe ka deklaruar se: kjo aferë korruptive do të zhbëhet”, tha Tabaku përmes një postimi në Facebook.
Ajo tha se PD do të shfuqizojë ligjin që përjashton nga taksat vetëm hotelet “që ndërtojnë oligarkët që sot paguajnë 5% tatim fitimin dhe 6% TVSH për shërbimet”.
Presidenti kthehu të mërkurën ligjin që zgjaste koncesionin e aeroportit me 13 vite. AI e cilësoi këtë ligj si “shembull të klientelizmit dhe grabitjes”.
Kuvendi miratoi më 9 shkurt marrëveshjen mes qeverisë dhe kompanisë Kastrati për shtyrjen me 13 vite të koncesionit të Aeroportit ‘Nënë Tereza’.