Partia Demokratike mbështeti vendimin e Presidentit Meta për kthimin e dy ligjeve të medias të miratuara në dhjetor nga shumica socialiste. Albana Vokshi, në një dalje për mediat u shpreh sot se “kthimi i dy ligjeve të censurës së medias online nga Presidenti i Republikës, është një hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë”.
“Asnjë ligj censure nuk do të arrijë të fshehë të vërtetat e korrupsionit, krimit, varfërisë dhe mjerimit që ka mbërthyer Shqipërinë. Partia Demokratike i konsideron këto dy ligje si antikushtetues, që shkelin konventat ndërkombëtare, që censurojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e qytetarëve për informim”, shtoi zonja Vokshi.
Presidenti Ilir Meta ktheu dje për rishqyrtim në parlament ndryshimet e bëra nga qeveria në 2 ligje atë për mediat audiovizive dhe komunikimet elektronike.
Paketa anti-shpifje u miratua në 18 dhjetor 2019 dhe ndryshon dy ligje të medias. Ndryshimet u kritikuan ashpër nga gazetarët, organizatat e mediave lokale dhe ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat politike. Kritikat theksonin se me ndryshimet në ligje autoritetet shtetërore merrnin atribute të gjykatave dhe mund të censuronin mediat. Pavarësisht kritikave shumica socialiste votoi pro saj.