Partia Demokratike cilësoi antikushtetuese vendimin e qeverisë për të ndërprerë pagesat e qirasë së bizneseve të mbyllura për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Sipas saj qeveria po mbron oligarkët duke mos ndërprerë koncesionet dhe po nxit përplasje mes qytetarëve duke ndërhyrë në marrëveshjet e tyre kontraktuale.
Në një deklaratë për shtyp PD-ja shprehet se vendimi është i padrejtë dhe ia kalon barrën e kostos një tjetër pale të shoqërisë.
“Njeriu që nuk pranon të anullojë kontratat koncesionare ku palë është qeveria, shpall anulimin e kontratave ku palë janë subjekte private, […] për të mbrojtur oligarkët […] Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin.”
Mesditën e së enjtes, Kryeministri Rama deklaroi në Facebook se studentët dhe bizneset e mbyllura nuk do të paguanin qira dhe se nëse qiradhënësit do të këmbëngulënin t’u merrnin para, ata duhet t’i denonconin.
PD kundërshtoi këtë politikë duke i kërkuar llogari qeverisë që “të gjejë burimet e nevojshme për të mbështetur bizneset e vogla përmes heqjes apo pezullimit të përkohshëm të taksave”.
Opozita propozoi që qeveria t’u sigurojë bizneseve të mbyllura 50 për qind të pagesës së qirasë dhe në bizneset në prona shtetërore heqjen e qirasë.
Në deklaratën e saj opozita kujtoi 170 milionë euro abuzime me koncesionet dhe tenderat, prej të cilave mund të siguroheshin fonde të mjaftueshme për situatën nëse ato do të pezulloheshin.
Pas deklaratës së PD-së, Kryeministri Rama u shpreh se në studion e emisionit Opinion do të shpjegojë se:
“[…] sa i drejtë është ky Akt Normativ [për qiratë], me ligj e me zakon, e se sa e fajshme është në mes të luftës kjo kundërvënie e verbër e [Opozitës] një çete vulëhumburish (pa din, pa iman e pa asnjë hall tjetër veç ëndrrës së tyre në beze), ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte!”