Parlamenti Europian do të kërkojë njohjen e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE të cilat nuk e kanë njohur ende.
Ftesa që përsëritet në draft-raportin për Kosovën, të përgatitur në Komisionin e Politikës së Jashtme nga raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, i drejtohet konkretisht Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës.
“Jemi në dijeni se pesë shtetet anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe përsëritet thirrja ndaj atyre që ta bëjnë këtë; nënvizohet se njohja do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në këtë dokument.
Përpos njohjes, në draft-raport kërkohet nga Këshilli që të heqë regjimin e vizave për Kosovën pasi i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave që në vitin 2018.
Nga Kosova kërkohet që të shtojë përpjekjet për të adresuar problemet në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik.
Parlamenti Europian është i vetmi insitucion i BE që i referohet Kosovës si shtet. Ai thekson se njohja e saj do të kontribuojë në stabilitetin politik të vendit që ka mbetur i trazuar edhe pas zgjedhjeve të tetorit.
Draft-raporti do të debatohet tashmë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian para se të votohet si raport. Pastaj ai do t’i kalojë seancës plenare të PE, ku pasi të debatohet do të votohet si rezolutë.