Mediat raportuan sot se Prokuroria e Tiranës do t’ia kalojë hetimin e pengmarrjes dhe vrasjes së Jak Prengës Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Prenga, baba i 5 fëmijëve, u mor peng më 17 janar në Kamëz. Policia nuk ka mundur të gjejë ende trupin e tij edhe pse po kalon rreth 1 muaj nga ngjarja. Dyshohet se trupi është zhdukur nga pengmarrësit në rrethinat e Shijakut.
Gjatë kësaj kohe, policia ka kryer disa aksione në Shijak e Shkodër, ku ka sekuestruar një resort dhe disa vila me dyshimin se ato lidhen me ngjarjen.
Ngjarja që mbetet me shumë pikëpyetje ka vetëm 5 të arrestuar:
- Leonard Hajri, 36 vjeç, (i dënuar më parë),
- Bajram Hajri, 64 vjeç (babai Leonardit)
- Elton Hajri, 32 vjeç (nip i Bajramit)
- Festim Bexhdili, 30 vjeç (i afërm i familjes Hajri)
- Olsi Turja, 36 vjeç (shok i Leonardit)
Në kërkim mbetet Altin Hajri – djali i Bajramit – pronar i Golden Kompleks. Ai është akuzuar për disa vepra penale, mes së cilave edhe për tentativë vrasje.
BalkanWeb raporton duke cituar burime të policisë, se pas pengmarrjes dyshohet të jetë një bandë nga Dukagjini, në të cilën mendohet se bëjnë pjesë: Aldo Majnishta 26 vjeç; Ardian Doçaj 32 vjeç, dhe Artan Doçaj 36 vjeç.
Urdhri për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës dyshohet se u dha nga një burg në Ekuador, ku vuan dënimin për trafik kokaine Dritan Rexhepaj. Ky njihet për disa vrasje, grabitje bankash dhe arratisje nga burgjet e Shqipërisë, Belgjikës e Italisë.
Konsiderohet me lidhje të forta me banda në Angli dhe Shqipëri, ndërsa ngjarja ka si shkak prishjen e pazareve të drogës së rreth 300 kilogramë kokaine.