Pengu i karriges dhe Rama i fushatës

Nga Desada Metaj

Nuk është hera e parë që Edi Rama dhe Ilir Meta përveshin mëngët dhe i shpallin luftë të hapur njëri tjetrit. Madje ka nga ata që besojnë se nuk do të jetë as hera e fundit në fushëbetejën politike, e cila aktualisht në kulmin e fushatës elektorale dominohet nga lajmi i shkarkimeve në administratë kryesisht të të punësuarve të LSI-së.

Ky sulm i stisur i post marrëveshjes Rama-Basha, duket se e ka motivuar fort presidentin në detyrë që edhe pse kishte premtuar se nuk do të përfshihej, është shfaqur dy ditët e fundit në tubime elektorale ku nuk e ka kursyer fjalorin për aleatin Rama dhe kundërshtarin Basha.

Shkëmbimet në distancë mes dy liderve që zyrtarisht janë ende pjesë e koalicionit qeverisës e kanë zhbërë përfundimisht atë që prej kohësh përflitej si ndarja e madhe PS-LSI. Lufta u ndez më shumë kur kryeministri që ende qeveris me ministrat e Ilir Metës jo vetëm “bekoi” shkarkimet nga radhët e LSI në administratë, por nxitoi që t’i etiketonte njerëzit e Ilir Metës dhe aleatin e tij në këto 4 vjet si të keqen e madhe dhe fatkeqësinë që kishte çoroditur qeverinë e tij këto 4 vjet.

“Pjesë e politikës që ka ushqyet parazitizmin, klientelizmin dhe dembelizmin” , “shantazhistë që na detyronin të hiqnim gratë e PS-së nga puna” dhe me kulmin e djeshëm në Vlorë “kjo është një histori pengmarrje” – këto janë tezat e ditëve të fundit me të cilat Edi Rama po përpiqet të bindë elektoratin e majtë se faji dhe nëse diçka ka shkuar keq këto 4 vjet i përket LSI-së. Dhe me këtë motiv ai kërkon të marrë 71 deputetë për të qeverisur i qetë në mandatin e ardhshëm.

Por a ka njeri normal të besojë këtë që thotë Edi Rama? Ose thënë ndryshe, a mund të besohet më një lider që na paska qenë peng për 4 vjet me radhë? Nëse kjo ka ndodhur realisht atëherë shqiptarët duhet të besojnë se Edi Rama ka qenë peng i LSI-së dhe e ka pranuar këtë fakt vetëm për të mbajtur karrigen e tij. Nëse ka pranuar që gratë socialiste t’i hiqnin nga puna e ka bërë që me votat e LSI të miratojë koncensionet, privatizimet dhe çdo vendim tjetër që shënjoi dështimin e qeverisjes këto 4 vjet.

Edi Rama nuk mund të anashkalojë analizën e qeverisjes me fajësimin e LSI-së apo me batuta mitingjesh të shplara elektorale që ngjasojnë me humorin pa kripë të spektakleve me regji të mirë. Një kryeministër që përgatitet për mandatin e dytë nuk mund të fajësojë djalin e vogël të shtëpisë se ka derdhur qumështin ndërkohë që ushqimet e tjera të familjes janë vjedhur apo shitur klientëve të kryefamiljarit.

Sepse, siç detyra ia kërkon duhet të marrë përgjegjesi kur punët nuk shkojnë mirë dhe mos të fshihet pas marrëveshjes me kundërshtarin me të cilin luajnë në të njëjtin terren. Për dy javë që ka në dispozicion Edi Rama duhet të bindë socialistët e tij që nëse do të ketë shansin të mandatohet për herë të dytë kryeministër nuk do të jetë më peng i marrëveshjes ende në fuqi me LSI-në ose i ndonjë marrëveshje që nuk e ka bërë publike. Dhe se sa i besueshëm do të jetë kjo mbetet ende për t’u parë në një kohë kur dëshira për karrigen është aq e fortë sa për herë të parë në jetën e tij, Rama ka shumë ditë pa fajësuar Berishën.

Botuar në Opinion.al

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>