Gjatë ditëve të shkuara, vetëm një numër i kufizuar aktivistësh u mobilizua për të kundërshtuar ligjin e mbetjeve. Por, sot në rrjetet e mediat sociale, u krijua një valë e madhe indinjate. Çdo postim, i cili kundërshtonte ligjin ka pasur një përhapje të gjerë dhe të shpejtë, duke krijuar në telefonat dhe në kompjuterët e shumë qytetarëve një lumë të vërtet opinionesh në kundërshtim të tij.
Çdo shqiptarë, edhe ai më socialisti, tashmë e ka kuptuar shumë mirë, që kjo qeveri jo vetëm nuk mban premtimet, por tallet me elektoratin e saj, duke mbrojtur qëndrimin rastësor të ditës me një arrogancë vulgare dhe kërcënuese.
Edi Rama nuk është i pari kryeministër dhe i vetmi në këtë lojë, përkundrazi një klasë e tërë politike, në kohë të ndryshme, ka bërë gjithmonë të njëjtën lojë. Berisha, Majko, Fino, Nano, për të arritur tek Meksi, janë po aq fajtorë në këtë çështje. Por, fajtori i vërtet është elektorati vetë, i cili u ka lejuar gjithmonë atyre të gënjejnë pa u ndëshkuar dhe pa paguar asnjëherë pasojat.
Ndaj do jetë interesante të shohësh nesër, në një protestë për shfuqizimin e ligjit të importit të mbetjeve, e organizuar nga një grup i vogël i shoqërisë civile, të cilin ende qeveria nuk ka mundur ta kapë, se sa qytetarë të thjeshtë do të gjejnë, në një gulçim dinjiteti, dëshirën për të thënë: “Mjaft”.
Kjo nuk është më një çështje e PS kundër PD, apo PD kundër PS, apo Meta kundër Rama, apo Rama kundër Nanos, apo çfarëdolloj konflikti tjetër apo dueli, që historia përsëritëse e politikës vazhdon të na ofrojë.
Kjo është një çështje dinjiteti personal, i një populli të tërë që është mësuar kaq shpesh t’ia grabisin të ardhme vetëm për interesin e momentit, kaq pasiv dhe i dorëzuar, i pafuqishëm për t’i lënë një të ardhme të denjë fëmijëve të vet.
Nëse, nesër nuk do të ngrihet populli, atëherë do të thotë që fëmijëve tanë do t’i tregojmë sërish që faji na e kanë serbët, grekët, italianët, Europa, rusët, kinezët apo amerikanët.
Por, ndoshta edhe këtë do ia themi në një gjuhë tjetër, në një vend tjetër, mbase në pritje të statusit të refugjatit.