Italia raportoi të premten 766 viktima të tjera nga pacientët me koronavirus duke e çuar totalin në 14 681 të vdekur.
Autoritetet njoftuan se mes viktimave ishin edhe 4 mjekë – 73 totali – ndërsa përhapja e koronavirusit mes personelit shëndetësor i ka kaluar 10 mijë të infektuar.
Italia vuan vdekshmërinë më të lartë nga Covid-19 në botë – 12.2 për qind të të infektuarve – ndërsa qeveria shtyu deri më 1 maj gjendjen e shtetrrethimit.
Autoritetet presin që në javën e dytë të majit të kenë të dhëna më të sakta për të vendosur rreth fazës së dytë të epidemisë.
Që kur filloi epidemia, Italia ka testuar 619 849 persona, prej të cilave 119 827 janë diagnostikuar me koronavirus, 19 659 janë shëruar, 14 681 kanë vdekur.
Më shumë se gjysma e vdekjeve të përgjithshme (8 311) kanë ndodhur në rajonin e Lombardisë, e cila mbetet një nga rajonet më të prekura në botë.
Në gjithë botën janë mbi 1 milionë të infektuar, prej të cilëve mbi 55 mijë kanë vdekur – vdekshmëria 5.2 për qind.