Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi përjashtoi sot Lulzim Bashën, kreun e opozitës, nga seanca parlamentare për sjellje të pahijshme dhe pengim të punës së kuvendit.
Deputetët e PD-së dhe Zoti Basha bllokuan foltoren e kuvendit pasi maxhoranca votoi për të shtyrë diskutimin për çështjen e propozuar nga opozita: përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Zoti Basha akuzoi disa herë gjatë fjalës së tij se Kryetari i Kuvendit Ruçi po mundohet t’i mbyllë gojën opozitës:
“Ky biçim parlament po degradon nga dita në ditë. Sot ke në rendin e ditës çështjen më të rëndësishme atë të zgjedhjeve.
Ti [Gramoz Ruçi] ngre kartonat këtu për t’i mbyllur gojën opozitës me kartona, por kjo nuk ndodh kurrë. Mblidh tani konferëncën e kryetarëve dhe vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet një javë debati. Kërkesa e opozitës është konform rregullores. Ky parlament nuk është pronë e maxhorancës as e jotja.”
Pas kërkesave të Zotit Basha, kreu i Kuvendit Ruçi e ndërpreu disa herë seancën duke kërkuar 5 minuta pushim, por duket se ndërprerjet nuk kanë mjaftuar për të ulur tonet e opozitës, ndaj Ruçi vendosi për përjashtimin e Zotit Basha nga e gjithë seanca.
Zoti Ruçi theksoi dhe se përjashtimi nga seanca shoqërohet dhe me sanksione monetare, përkatësisht deputetit të përjashtuar i mbahet rroga për një ditë punë.