Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilluan të martën takime elektorale në disa qytete të vendit.
Kandidati i LSI Endrit Braimllari tha se LSI zhvilloi një takim me fermerët dhe banorët në fshatin Dvoran të Korçës.
Ai tha se angazhohet për të rritur cilësinë e produktit vendas dhe për të mbështetur bujqësinë me një vlerë mbi 200 milion euro në vit.
Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për deputet në Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi gjatë një takimi elektoral në këtë zonë deklaroi se opozita është e gjitha e bashkuar për të sjelle ndryshimin e madh më 25 Prill.
“Berati më i motivuar se kurrë për t’i dhënë mijëra shuplaka keqqeverisjes 8-vjeçare”, tha Maliqi.
Kandidati tjetër i LSI Flamur Noka foli me banorë në Zall Mner. Ai takoi familje të prekura nga tërmeti dhe e cilësoi situatën si të papranueshme.
Kandidatja e LSI-së në qarkun e Korçës, Ismeralda Seidolli deklaroi të martën se më 25 prill qytetarët do të votojnë ndryshimin politik, për më shumë investime dhe të ardhura për shqiptarët.
Drejtuesja politike e LSI-së në Durrës, Elona Guri këtë të martë është takuar me një familje shqiptare që jeton dhe punon në Angli, por që janë kthyer për zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas Guri ata kanë ardhur për t’u bërë pjesë e ndryshimit të madh, duke votuar kështu LSI-në.
Kryesuesi i listës së Lëvizjes socialiste për Integrim në qarkun Shkoder Agron Çela së bashku me kandidatët e tjerë për deputet, Lindita Reçi, Erlinda Kavaja dhe Elvis Metani, zhvilluan një takim me kryetarin dhe anëtarët e shoqatës së ish-të përndjekurve politik.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim në Njësinë Nr.7 në Tiranë.
Ajo deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim. Në dy mandate ai, tha Kryemadhi, nuk ka rritur rrogën për punëtorët e fasonerive, nuk ka ndihmuar fermerët.