Një fundjavë me reshje tronditi më shumë se gjysmën e vendit, duke lënë pas 60 ura të shkatërruara, rreth 50 shkolla të dëmtuara rëndë, 10 mijë hektarë territor dhe 3500 shtëpi të përmbytura, arterien kryesore rrugore të vendit të bllokuar për rreth 20 orë, dhjetëra kabina elektrike nën ujë, ujësjellësin e Tiranës të mbyllur një ditë të tërë për shkak të “turbullirës”, shumë argjinatura të rrëzuara dhe mbi të gjitha, një det balte që tani mbulon qytetet që qeveria besonte se i kishte zbukuruar më investime të mëdha dhe të kushtueshme të “Rilindjes Urbane”.
Por qeveria gjurmon bilancin “triumfues”: 1500 persona “të shpëtuar” me kamion, varka dhe helikopter, 6400 burra të shtetit në gadishmëri për të ndërhyrë, skena me politikanët kryesorë të vendit të përqafuar me qytetarët, i pamunguari kryebashkiak që dorëzon me duart e tij ndihma ushqimore, foto të bukura të një skuadre shpëtimi veshur me uniforma teknike dhe kasketa e pajisura me dritë si në regjistrimet e televizioneve amerikane. Një imazh i rindërtuar me kujdes i një vendi solidar që lufton kundër fatkeqësive të motit, i kënaqur se ka “zvogëluar humbjet” falë investimeve dhe politikave (që pak kush i njeh) të viteve të shkuara.
Nuk mund të mungonte edhe falenderimi për kryetarin e opozitës i angazhuar në solidarizim me qeverinë, dhe ndonjë goditje kundër partisë tjetër që nuk është më në qeveri, ministrinë e së cilës e konsideron sot fajtor sepse nuk ka investuar fonde në mbrojtje të territorit, fonde që nuk ja ka dhënë asnjëherë.
Në fund, publikimi i një video me një grup militantësh besnikë që përqafojnë dhe puthin duart e kryeministrit duke e falenderuar që ju kishte ardhur pranë në këto ditë të vështira.
Dy ditë të tëra lidhje të drejtpërdrejta televizive me gazetarë që përcjellin katastrofën e shkaktuar nga një tjetër “ngjarje e përmasave të papara ndonjëherë”. Kronika heroike mbi traktorë që çajnë përmes 30 centimetrave ujë para shtëpive dhe kapanoneve, ndërtuar në mënyrë të pandërgjegjshme jo më shumë se dy metra nga shinat e hekururdhës. Orë të tëra transmentim të pamjeve të një skuadre të shkëlqyer “shpëtimtarësh të rinj”, pajisur me një varkë alumini apo filmime nga droni që lejojnë të shijosh pafundësinë “e paprecedentë” të përmbytjeve. Në fund, transmetimi i drejtpërdrejt i hyrjes së mundishme dhe trimërore të dhjetëra policëve që ngritën një gomone mbi një argjinaturë që ndante dy basenet e përmbytura, që të kujtojnë dy episode mitike kinematografike, marinsat që vendosnin flamurin në ishullin e Iwo Jima, dhe filmin Fitzcarraldo të Werner Herzog.
Modernizmi ka mbërritur edhe në Shqipëri dhe, me ndihmën e një regjie të ditur që tregoi keqdashësinë e natyrës, qytetërimi i rilindur triumfoi në mënyrë spektakolare.
Që në orët e para mesazhi që transmetonin të gjithë mediat, duke cituar kryeministrin, ishte i qartë: “kemi përmirësuar shumë aftësinë tonë për të reaguar kundër përmbytjeve”, por nuk tha askush se çfarë ishte bërë konkretisht për të arritur këtë përmirësim.
Por përsëri teknika narrative duket se ka nevojë për përmirësim sepse dy ditët e para përmbajtja e intervistave të personave teknikë të ngarkuar për zonat e ndryshme të vendit ishte gjithmonë e njëjta: “Jemi këtu, në vendin e nevojës, dhe jemi gati të ndërhyjmë në rast nevoje… dhe tani të shpresojmë që të pushojë shiu”. Pamjet pastaj përcillnin kamionët e forcave të armatosura, në të dyja anët e një ure të vogël, të rrethuar nga policië dhe ushtarakë në një pritje parazitare dhe të padobishme që uji të mbaronte së prishuri veprën tashmë të dëmtuar, që pastaj të shpallnin triumfalisht se në ndihmë të qytetarëve qeveria montoi menjëherë një urë ushtarake.
Kundër furisë së natyrës, natyrisht, nuk ka asgjë që njeriu ose qeveria mund të bëjë, inshallah!
Në fakt ndonjë gjë edhe mund të bëhej përpara e jo më pas, por në këtë vend, qeveria mendon vetëm për sot dhe vetëm se si t’u përcjellë qytetarët një realitet sa më të bukur që të mos arrijnë ta gjykojnë.
Ose ndoshta, si në këtë rast, mendon si të vërë në skenë një skenografi të madhe në mënyrë që të ndryshojë diskutimin dhe të flasë për “fatin e keq” para të cilit “vullneti i së mirës” nuk arrin dot të mbizotërojë, se sa të vazhdojë të flasë për drogën dhe riciklimin, dukuri edhe më shkatërruese kundër të cilëve do të mjaftonte vetëm vullneti politik për të triumfuar.
Nuk është e rastësishme që në mjediset e Institutit të Hidrologjisë, ku dikur zhvilloheshin studime në lidhje me reshjet dhe përmbytjet, tani do të jepen shfaqje teatrale pasi qeveria vendosi që ta kthejë atë Teatrin Turbina.