Para se ta lironte, ish-drejtori i burgut e takoi 5 herë Lulzim Cakën

Nga Gerard Gega
Para se ta lironte, ish-drejtori i burgut e takoi 5 herë Lulzim Cakën

Në 7 muaj drejtori i burgut të Lushnjes zhvilloi 21 takime në zyrën e tij me 14 të burgosur, ku njëri prej tyre ishte Lulzim Caka, i dënuar me 25 vite burg për vrasje, por që sot është i lirë.

Prej 30 korrikut Caka është në kërkim pasi është liruar 4 muaj e 22 ditë përpara kohe nga drejtori i burgut të Lushnjës Judmir Shurdhi.

Caka konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi lidhet me të paktën 5 vrasje dhe me drejtimin e një prej bandave të Beratit në vitet 1995-2000.

Ish-drejtori i burgut Judmir Shurdhi është kallëzuar për shpërdorim detyre nga Ministria e Drejtësisë. Në kallëzimin e drejtuar Prokurorisë së Tiranës, është faktuar se Shurdhi, prej janarit deri në korrik të këtij viti, ka kryer 21 takime në zyrë me 14 të burgosur, pesë nga këto takime ai i ka zhvilluar vetëm me Lulzim Cakën.

Zyra e drejtorit është jashtë perimetrit të sigurisë dhe nuk mbikëqyret. Shurdhi ka takuar më shpesh Judmir Shazivarin, i dënuar për trafik droge dhe Cakën dënuar me 25 vite bur.

Takimi i fundit me Cakën është kryer më 18 korrik, rreth një javë përpara se ai të lirohej nga burgu.

Rasti i lirimit të parakohshëm të Lulzim Cakës nxiti Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj të kërkonte hetim të gjerë.

Për të ashtuquajturin të “tmerrshmin e Beratit” kjo nuk është hera e parë që ai largohet nga burgu i Lushnjes.

Në vitin 2001 ai u arratis nga ky burg duke sharruar hekurat e qelisë dhe më pas vrau dy persona.

Pas këtij krimi ai u largua në Itali ku u arrestua dhe ekstradua në vitin 2003.

Drejtori i burgut të Lushnjes, Judmir Shurdhi përpara se të emërohej në këtë detyrë vitin e shkuar, ka qenë këshilltar bashkiak.

Më tej ka qenë drejtor në Bashkinë Lushnje dhe coordinator elektoral për Partinë Socialiste.

Top-Channel tre muaj më parë denonconte se si Shurdhi, tashmë drejtor burgu, përfitonte nga lidhjet politike duke drejtuar edhe një paketë private kabllore e cila piratonte transmetimet e platformave të tjera dixhitale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>