Përplasja Kosovë-Serbi: Përpjekje e Serbisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës

Nga Exit News
Përplasja Kosovë-Serbi: Përpjekje e Serbisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës

Misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, KFOR ka rritur patrullimet në mbarë Kosovën, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar në pjesën veriore.

“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, që të ofrojë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit të KFOR-it, të publikuar të hënën.

Veprimet e KFOR erdhën pas vendosjes së ushtrisë serbe në dy pikat e kalimit kufitar me Kosovën, Jarinjë dhe Bërnjaku, patrullimeve të avionëve ushtarak serb, dhe djegies së dy pikave doganore.

Çfarë ka ndodhur deri më tani:

Disa banorë serbë të veriut të Kosovës kanë bllokuar vendkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjën dhe Bërnjakun, prej 8 ditësh — për të kundërshtuar vendimin e qeverisë Kurti për vendosjen e masave të reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Për të monitoruar procesin, Kosova vendosi në kufijtë në veri njësinë speciale të Policisë së Kosovës. Masa të ngjashme ndaj makinave me targa të Kosovës, Serbia po i zbaton prej vitesh.

Çfarë është reciprociteti i targave dhe pse hyri në fuqi në 20 shtator:

Pas pavarësisë së Kosovës, autoritetet në Prishtinë kanë ndërruar me ligj targat e automjeteve duke i zëvendësuar ato të UNMIK-ut (KS) në të Republikës së Kosovës (RKS).

Ky vendim, me marrëveshjen e lëvizjes së lirë mes dy vendeve më ndërmjetësimin e BE-së, e hartuar në 2011 dhe e miratuar në 2016, i dha 5 vjet kohë pronarëve të automjeteve me targa KS, për t’i ndryshuar në RKS.

Ky afat kohor përfundoi më 15 shtator 2021. Më 20 shtator 2021, kryeministri i Kosovës Kurti vendosi zëvendësimin e tragave KS me RKS, konfiskimin e targave të vjetra dhe vendosjen e targave të përkohshme për automjetet me targa KS që hyjnë në Kosovë.

Ky vendim është i njëjtë me atë të Serbisë: Qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kalojnë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, në të vlefshme për 60 ditë.

Vendimi i Kurtit nuk u pranua nga president serb Vuçiç, i cili e quajti shkelje të marrëveshjes së Brukselit.

Çfarë po thonë drejtuesit politik:

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u shpreh tha të hënën se Serbia “është burim i destabilizimit në rajon”.

Kryeministri kosovar Kurti kërkoi heqjen e masës së reciprocitetit nga Serbia dhe ndërhyrjen e BE-së për shtensionimin e situatës:

“Në bisedat telefonike sot me Borrellin dhe Stoltenbergun ne diskutuam sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë dhe nevojën për de-përshkallëzim në veri të Kosovës. Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në takimin me ambasadorët e quintit u shpreh se:

“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë apo të qytetarëve të saj”.

Kryeministrja e serbe Bërnabic u shpreh se Bashkimi Evropian, në këtë moment, “nuk po bën asgjë, ose po bën fare pak” në lidhje me situatën në Kosovë.

Komisioneri për Zgjerim në BE, Oliver Varhelyi u shpreh se:

“Kosovë dhe Serbi, është e domosdoshme që të përmbaheni dhe të shtensiononi situatën, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni liri të lëvizjes pa vonesa. Veprimet e njëanshme nuk janë asnjëherë zgjidhje. Ato vetëm shpijnë në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg:

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>