Pezullimi i Rektorit Koni, minim i autonomisë së universitetit

Pezullimi i Rektorit Koni, minim i autonomisë së universitetit

Ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar për Arsimin Albana Vokshi e quajti antikushtetues vendimin e Ministres së Arsimit Shahini për të pezulluar nga detyra Rektorin e Universitetit të Tiranës Koni:

“Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e Rektorit të Universitetit të Tiranës është antikushtetuese! Ajo bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë, që garantojnë Autonominë Universitare.”

Sipas Zonjës Vokshi, ky vendim tregon qartë qëllimin e Kryeministrit Rama për të marrë nën pushtetin e tij dhe universitetin, një ndër të paktat institucione të mbetura autonome:

“Qëllimi i vetëm është largimi me të gjitha mjetet dhe format i çdokujt që atij i bëhet pengesë dhe më tej, interesi i tij është të marrë kontrollin edhe të Universitetit më të madh në vend, duke vënë në krye militantë politikë. Urdhri i Ministres Shahini për pezullim të rektorit Mynyr Koni minon autonominë universitare dhe dëmton rëndë këtë institucion kaq të rëndësishëm për jetën akademike në vend.”

Ministrja e Arsimit Shahini pezulloi nga detyra më 13 prill Rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dhe i propozoi Presidentit Meta shkarkimin e tij.

Megjithëse vendimi dhe kërkesa e Shahinit nuk janë bërë ende publike, argumenti i ministres për pezullimin ka qenë në thelb politik, duke e akuzuar Rektorin për moszbatim të pakteve dhe reformave politike të qeverisë, si dhe duke dhënë përshtypje dhe opinione personale, pa referenca dhe argumenta ligjore dhe institucionale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>