Një tjetër minator u plagos të mërkurën në galerinë e Albchrome në Bulqizë në pronësi të Samir Manes.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës SMBB njoftoi se minatori 31 vjeçar që u plagos është Edi Beka . Ai u plagos gjatë kohës që po punonte në galeri dhe është dërguar me helikopter në Tiranë.
Një burim nga spitali i Bulqizës i tha BIRN se i plagosuri kishte dëmtime të kraharorit dhe dyshohej për thyerje të brinjëve.
Policia e Dibrës njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 11.05 por nuk ka bërë me dije galerinë se ku ka ndodhur ngjarja.
SMBB shkruan se “në deklaratën e policisë nuk përcaktohet se në cilën minierë dhe kompani ka ndodhur ky aksident. Ndërsa kompania Albchrome sërish ia hedh fajin minatorit për aksidentin”.
Sindikata i ka kërkuar institucioneve përkatëse të hetojnë ngjarjen deri në fund.
Kompania AlbChrome pjesë e grupit Balfin është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës.
Albchrome fajësoi për pakujdesi minatorin e aksidentuar.
“Fadroma që po manovronte brenda në minierë ka dëmtuar strukturën armatike kuadratike me profile metalike, në zonën e Qafë Buallit. Si pasojë e kësaj pakujdesie është lënduar fadromisti E.B”, thuhet në reagimin e Albchrome.
Ky është aksidenti i shtatë që ndodh në këtë galeri.
Më 24 shkurt minatori Fiqiri Karaj humbi jetën në minierat e Zonës D në Bulqizë.
Me gjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.
Në shumicën e rasteve fajtor është bërë minatori duke thënë se “nuk është treguar i kujdesshëm”.