Plani i Ramës për ‘Drejtësinë e Re’ – Si po rekrutohen dhe trajnohen nga PS, gjyqtarët dhe prokurorët e rinj

Plani i Ramës për ‘Drejtësinë e Re’ – Si po rekrutohen dhe trajnohen nga PS, gjyqtarët dhe prokurorët e rinj

Në fund të muajit shkurt të këtij viti, kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama, zhvilloi një takim për të riorganizuar Fondacionin “Qemal Stafa”, i cili u ideua dhe u drejtua për vite të tëra nga Saimir Tahiri, sot dëshmor i implikimit të Rilindjes në kultivimin dhe trafikun e drogës, pas ardhjes në pushtet.

Në këtë mbledhje përveç të tjerave, u vendos edhe intensifikimi i punës së  “Akademisë Juridike”, e cila nën kujdesin e Vasilika Hysit, Fatmir Xhafajt, Ulsi Manja, Etlida Gjonajt, Blendi Çuçi etj, do të merrej me trajnimin e studentëve të Fakultetit Juridik dhe atyre të Magjistraturës.

Në atë periudhë, akuzat e një pjese të medias dhe opozitës, se Edi Rama po kapte sistemin e ri të drejtësisë që do të dilte pas Vettingut, shumëkush i quajti të pabesueshme.

Por Rama e kishte një plan, i cili në fazë finale do të arrinte pikërisht në atë që po ndodh sot. Ndryshimin e ligjit për Magjistraturën, i cili në thelb synon që gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të zgjidhen nga KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme të kontrolluara tashmë prej tij dhe jo siç e parashikon Kushtetuta e re, nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe ai i Gjyqësorit (KLGJ) të cilët vazhdojnë të mos krijohen, edhe dy vjet pas nisjes së reformës.

Në kuadër të këtij plani merret edhe vendimi, që Fondacioni “Qemal Stafa” të krijojë revistës “Politcus”. Në muajin mars në faqen zyrtare të Fakultetit të Drejtësisë u nxor një njoftim, i cili i ftonte pedagogët dhe studentët që të shkruanin artikuj analitikë për këtë revistë të PS-së, mbi tema për drejtësinë. Madje puna shkoi deri aty sa që dekani i këtij fakulteti, i zgjedhur me short si anëtar i KLGJ-së së ardhshme, tu dërgonte pedagogëve edhe email-e të personalizuar, për të dhënë kontribut në këtë projekt të PS-së.

Ndërkohë që gjatë procesit të vettingut dhe shtimit të presionit nga ndërkombëtarët për përshpejtimin e tij, me shpejtësi po shtrohej çështja se nga kush do të zëvendësoheshin “kokat e prera” në gjyqësor dhe në organin e akuzës, Edi Rama po merrte masat e tij duke krijuar një celulë partiake, brenda Fakultetit të Drejtësisë dhe Magjistraturës.

Kështu si pjesë e projektit për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të epokës së re, post Vetting, krijohet brenda FRESSH dhe Fondacionit “Qemal Stafa” Klubi Juristëve-FRESSH ( shih linkun https://www.facebook.com/KlubiJuristeveFressh/),  cili përbëhet nga studentë të Juridikut dhe Magjistraturës, por të deklaruar si anëtarë të Partisë Socialiste.

Ndërkohë që në zyrat e Kuvendit, Ulusi Manja, Vasilika Hysi dhe Gramoz Ruçi kujdeseshin për ndryshimet në ligjin për Magjistraturën, ky klub nisi trajnimin intesive të anëtarëve të tij, për prokurorë e gjyqtarë të ardhshëm.

Në kuadër të “Akademisë Juridike”, ata nisën një fushatë të hapur publike rekrutimesh, mes të rinjve që studiojnë për Drejtësi.

“Klubi i Juristëve njofton se aplikimet për #AkademiaJuridike2 kanë përfunduar. Falenderojmë të gjithë juristët e rinj dhe studentët për vlerësimin, edhe këtë vit treguat se Akademia Juridike është programi më i kërkuar nga juristët e rinj. Tani fillon një fazë e vështirë përzgjedhjeje objektive. Njoftimi i fituesve do të bëhet shumë shpejt. Akademia Juridike 2 fillon në datën 5 maj”, thuhet në një nga njoftimet publike të këtij Klubi të PS.

Mjafton që të bësh një xhiro në faqen e tyre në Facebook dhe mund të shohësh se si në aktivitete të ngjeshura, gjyqtarët dhe prokurorët tanë të ardhshëm trajnohen nga eksponentë të lartë të PS-së; Herë Vasilika Hysi, herë Ulusi Manja, herë Fatmir Xhafaj, Etilda Gjonaj, Blendi Çuçi, e herë të gjithë bashkë.

Këta anëtarë të FRESSH, të gjithë kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm, merren për dore nga Vasilika Hysi e Ulsi Manja dhe “stërviten”, edhe në sallat e Gjykatës së Krimeve të rënda duke improvizuar gjyqe.

Pyetjes së shumë shqiptarëve, kur shohin se si vettingu po nxjerr jashtë sistemit gati 90% të trupës aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve; po tani nga kush do të zëvendësohen, duket se i ka dhënë drejtim Rilindja.

Është ndoshta rasti më i paprecedentë në historinë e një vendi demokratik ku pushtetet janë të ndara, që një forca politike të krijojë shkolla të saj rekrutimi dhe trajnimi, për trupën e ardhshme të sistemit të Drejtësisë.

Reforma në Drejtësi, nisi nga ndërkombëtarët pikërisht për të prerë duart e zgjatura të partive dhe të politikës në përgjithësi, brenda sistemit të  drejtësisë.

Por Edi Rama e ka një plan të detajuar, në veprim tashmë, për të kapur e kontrolluar  në mënyrë të organizuar, “Drejtësinë e Re”, për të cilët shqiptarët po ëndërrojnë kaq shumë!


Ky artikull u publikua më parë tek Syri.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>