Policia pranon përdorimin e makinave me targa false

Policia pranon përdorimin e makinave me targa false

Para disa ditësh, gazeta online Lapsi.al publikoi foton e një makine të vjetër Benz, ngjyrë blu, me targa të Lushnjes, e cila qarkullonte në autostradë e ngarkuar me kanabis.

Reagimi i menjëhershëm i policisë së Fierit për Lapsi.al qartësoi se makina me targa LU 0276 C ishte në përdorim nga policia kriminale e Fierit dhe po transportonte për në laboratorin kriminalistik gjashtë bimë kanabis të marra si provë materiale nga një parcelë e sekuestruar në afërsi të Fierit.

Lapsi.al deklaroi se pas disa verifikimeve targa që mbante makina Benz në përdorim të policisë ishte e regjistruar për një makinë tjetër, të markës Audi me ngjyrë të kuqe.

Ne nuk jemi në dijeni të asnjë ligji të Republikës sonë që autorizon një mjet të qarkullojë me targat e një mjeti tjetër. Dhe nuk jemi në dijeni të asnjë ligji të Republikës sonë që i jep leje policisë të mos zbatojë ligjet.

Ndoshta, dikush duhet t’i shpjegojë Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako se një polic i veshur me uniformën e policisë nuk mund të drejtojë një makinë me targa false, edhe një polic i veshur civil nuk duhet të përdorë makina me targa false. Por edhe që provat materiale mund të administrohen me mjete të posaçme si qese të veçanta plastike.

Mesa duket policia e “rilindur” po përdor ende procedurat e kohëve të errëta në këtë vend, gjatë së cilës shumë makina të policisë apo të shërbimeve të tjera të shtetit, qarkullonin me targa false për të mbuluar imunitetin e atij që po kryente “punë” ose “shërbime” mesa duket jo të deklarueshme, kryesisht gjatë fushatave elektorale.

Një verifikim i kryer me burime pranë policisë na mundësoi të zbulojnë një mekanizëm akoma më abuziv: makinat të cilat bllokohen si prova krimi—që më vonë mund të sekuestrohen ose t’i kthehen pronarit të ligjshëm sipas një vendimi gjyqësor në përfundim të hetimeve—shpesh prokuroria ia lë në ruajtje policisë; kjo e fundit, duke mos pasur mjetet e duhura, në vend që t’i ruajë siç e parashikon ligji, i përdor ato, nën justifikimin se po përdoren për nevoja të shërbimit, por me “zgjuarsinë” për të hequr targat origjinale.

Kjo sjellje, e përhapur dhe e vazhdueshme, që në terma të ligjit përbën një akt të qartë të “shpërdorimit të detyrës”, justifikohet me mungesën e fondeve për të blerë makina të reja. Kjo ndërkohë që Ministria e Brendshme luan me makinat e shtrenjta elektrike dhe me fasadat e shtrenjta të vetë godinës së ministrisë.

Por nga tregimet entuziaste për profesionalizmin e policisë së re gjatë ceremonisë të inagurimit të godinës së ristrukturuar të Ministrisë së Brendshme mësuam se një tjetër reformë gjigante do të ndryshojë shumë shpejt një aspekt thelbësor të policisë: një uniformë e re do të shfaqë një fytyrë të re “moderne” të Policisë së Shtetit.

Të shpresojmë se investimi i shtrenjtë për uniformat e reja, i cili pason një investim të shtrenjtë për fasada dhe rregullim zyrash, të mos na detyrojë të shohim akoma policë me targa false edhe gjatë fushatës së ardhshme elektorale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>