Policia sekuestroi sot resortin “Golden Kompleks” në fshatin Pjezë të Shijakut, atje ku javë më parë dyshohet se u vra gjatë pengmarrjes për pazare droge, Jak Prenga.
Siç Exit News ka analizuar më parë, pengmarrja e Jak Prengës ekspozoi dyshimet se pastrimi i parave të drogës bëhet përmes resorteve luksoze. Familja Hajri, 4 anëtarë të së cilës akuzohen për përfshirje në pengmarrje, ishte akuzuar prej vitesh për lidhje me trafikun ndërkombëtar të heroinës.
Nga familja janë arrestuar 3 anëtarë: Bajram Hajri, Leonard Hajri dhe Elton Hajri. Mbetet në kërkim Altin Hajri.
Kompleksi Golden, i ngritur në një hapësirë prej rreth 1,4 hektarë tokë bie lehtë në sy në Pjezë pasi është në kontrast me ndërtesat e zonës. Rrethuar me pemë, kanxhella dhe kolona të punuara me gips, ka 3 ndërtesa të ndara me 2 pishina – Hotel Golden Kompleks; Vila Golden; Golden Palace – dhe përpara një pikë karburanti.
Shqiptarja.com citoi burime konficenciale të cilat thanë se përveç kompleksit është sekuestruar edhe pika e karburantit dhe 3 shtëpi.
Mediat e lidhën masën e sekuestros ndaj pasurisë së familjes Hajri me operacionin e “Forca e Ligjit” propaganduar nga qeveria se do të luftojë krimin e organizuar.
Sipas “paketës anti-KÇK”, familja Hajri duhet të justifikojë pasurinë. Në rast se prokuroria dhe gjykata vendos se nuk ka burime të ligjshme, atëherë ajo konfiskohet.
Paketa kundër krimit të organizuar parashikon edhe që në raste emergjente, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron vendosjen e masës së sekuestros së pasurisë edhe pa vendim gjykate. Mediat raportojnë se policia ka nisur të njoftojë rreth 250 raste për verifikim.
Për të mësuar më tepër rreth paketës kundër krimit të organizuar dhe çfarë parashikon ajo, lexoni këtu.