Policia e Shtetit në shërbim politik

Policia e Shtetit në shërbim politik

Policia e Shtetit sot lajmëroi në faqen zyrtare në Facebook se qytetarët nuk duhet të marrin pjesë neë protestën e opozitës. Ajo shkruan se qytetarët “që s’kanë lidhje me këtë tubim [protesta e opozitës], të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt, në mjediset ku do të zhvillohet protesta”.

Policia njoftoi se është e shqetësuar se në protestën e opozitës do të ketë individë të dënuar më parë, si dhe individë të nxitur “nga palë të treta” për të destabilizuar Shqipërinë.

Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë, apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.”

Njoftimi i policisë lë të kuptohet se në këtë protestë qytetarët do të “manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike”, çka në diskurin publik në Shqipëri përgjithësisht nënkupton individët me përkatësi partiake. Policia i “bën apel” opozitës të shmangë retorikat që nxisin qytetarët kundër rendit dhe qetësisë publike.

Si rrjedhojë e informatave që zotëron për përfshirjen e individëve të dënuar më parë, si dhe të atyre të nxitura nga “palë të treta”, Policia njofton se do të ushtrojë kontrolle për t’i parandaluar ata përpara se të mund të marrin pjesë në protestë.

Por, Policia nuk sqaron se si ajo ka siguruar të dhënat për pjesëmarrjen e individëve me potencial kriminal të nxitur nga “palë të treta” me synim destabilizimin e Shqipërinë përmes protestës së opozitës. Kur dihet tashmë se Policia gjatë muajve të fundit ka dështuar në marrjen e të dhënave për krime spektakolare, si vrasjet e shumta, trafiku ndërkombëtar i drogës, individë në kërkim që shëtisin me armë dhe vrasin në qendër të kryeqytetit.

Ajo, gjithashtu, nuk sqaron mënyrën se si mund të identifikohen ish të dënuarit. Njëra mundësi, të cilën policia nuk e ka shprehur në njoftim, mund të jetë kërkesa për t’u paraqitur në protestë me dëshminë e penalitetit. Verifikimi i vërtetësisë së dëshmive përpara se të niste protesta do të hante shumë kohë, do të shkaktonte radhë të gjata dhe do të kërkonte burime njerëzore, që policia vështirë t’i ketë në dispozicion.

Dhe në fund Policia nuk sqaron se mbi ç’baza dhe për ç’arsye ajo mund t’i ndalojë një ish të dënuari njërën ndër liritë themelore të njeriut – tubimin – që ia garanton Kushtetuta dhe një sërë konventash ndërkombëtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>