Policia e Hasit ka zbuluar sot një laborator të përpunimit të heroinës dhe kokaine në Has.
Deri më tani dihet se policia ka sekuestruar rreth 150 kilogramë heroine të përpunuar, të bërë gati për shitje, dhe një sasi opiumi, lënda bazë për përpunimin e heroinës.
Policia ka arrestuar dhjetë persona, ndërkohë që po vazhdon kërkimet në Has dhe në fshatrat përreth.
Ky është laboratori i pesë i përpunimit të drogës që zbulohet që prej vitit 2015.
Në janar 2015, në Xibrakë të Elbasanit u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës ku u kapën 121 kilogramë kokainë, 200 mijë euro dhe u arrestuan dy kolumbianë dhe nëntë shqiptar.
Më 15 prill 2017, u zbulua në një pallat në Fier një laborator droge. Në 6 dhoma me sipërfaqe prej 220 metra katror, u gjetën të kultivuara 2784 bimë kanabis dhe 2820 kubikë me fidanë kanabisi. Po ashtu, u gjetën dhe 167 bimë në proces tharjeje.
Më 14 prill 2017, pesë kilometra larg qendrës së Tiranës, në një prej ish-tuneleve të ish-Uzinës së Autotraktorëve u zbulua një laborator droge. Brenda tunelit, të izoluar dhe të pajisur me llampa të fuqishme elektrike dhe me gjithë infrastrukturën e nevojshme, u gjet një sasi e konsiderueshme kubikësh të mbjellë me kanabis.
Më 12 prill 2017, u zbulua në Skrapar një laborator modern për përpunimin e kanabisit me rreth 2000 vazo të mbjella me lëndë narkotike. Pak ditë më vonë, në një magazinë aty pranë u gjetën 1,2 ton kanabis i tharë gati për tu hedhur në treg.