“Dekreti i Presidentit është akt me natyrë të veçantë dhe si i tillë, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese nuk vlerëson dot vlefshmërinë apo kushtetueshmërinë”.
Kështu sqaroi Bledar Dervishaj, Këshilltari ligjor i Presidentit Meta sot në një konferencë për shtyp nga Presidenca. Zoti Dervishaj tha se dekreti ka hyrë në fuqi dhe ai duhet të zbatohet nga KQZ.
“I është dërguar KQZ-së për zbatim sipas ligjit. Çdo anashkalim i detyrave nga ky institucion është i patolerueshëm nga ligji. Çdo subjekt politik që nuk është dakord apo kundërshton dekretin mund të ngrej pretendimet qoftë në GjK ose në çdo gjykatë që mendon”.
Dervishaj sqaroi se shtyrja e zgjedhjeve pas 30 qershorit nuk do të prekë ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.
“Shtyrja e datës pas 30 qershorin nuk cënon interesat apo shërbimet publike që qytetarë marrin. Sipas, ligjit ‘Për veteqeverisjen vendore’, këshillat bashkiak aktuale do të ushtrojnë funksionet deri në krijimin e këshillave pasardhës. Kryetarët aktual do vazhdojnë mandatit deri sa të zgjidhen të kryetarët e rinj.
Çdo aludim se më 5 gusht ndërpriten mandatet aktuale dhe qytetarët nuk do të marrin më shërbime publike është trillium politik. Shqiptarëve i garantohet me ligj ofrimi i shërbimeve publike”, tha Dervishaj.
Në fund, këshilltari Dervishaj u shpreh se qytetarët do të ‘votojnë në situatë të qetë, në mënyrë të lirë’ dhe se ‘për caktimin e datës së re të zgjedhjeve, presidenti ka nisur një proces konsultimi’.