
Presidenti Ilir Meta dënoi të premten kërcënimin e Prokurorit të Përmetit, Asllani Bajrami, duke e quajtur akt “të dënueshëm”.
“Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t’i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar,” shkruan Meta në rrjetin Facebook.
Ai kërkoi të merren masa për ndaljen e revanshit të krimit.
“Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike,” përfundoi presidenti.
Bajrami gjeti në dritaren e zyrës së tij një plumb, sipas një raportimi nga gazetarja Klodjana Lala,që dyshohet se është vendosur në formë mesazhi ndaj tij.