Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që qytetarët e infektuar me koronavirus të mos presin në ambulanca duke i konsideruar të papranueshme vonesat në trajtimin e tyre.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i shtetit shprehet i shqetësuar për situatën e pandemisë në vend.
“Rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor. Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet.”, shkruan presidenti Meta.
Kreu i shtetit thekson se çdo ankesë e qytetarëve duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe nënvizon nevojën e mobilizimit të të gjitha resurseve njerëzore nga ana e qeverisë. Presidenti Meta shton gjithashtu se nuk duhen kursyer financimet në luftën ndaj pandemisë.
“Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme. Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj.”, shprehet presidenti.