Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se i ka lënë 48 orë kohë Albin Kurtit për të dhënë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, për kryeministër.
Me anë të një njoftimi në Facebook, Presidenti Thaçi tha se Zoti Kurti sot nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë:
“Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit [për kryeministër] nga Lëvizja Vetëvendosje.
Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.”
Zoti Kurti deklaroi përpara takimit se nuk kishte pasur mundësi të takonte Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa dhe pranoi se do të merrte mandatin për krijimin e qeverisë, pa pasur marrëveshje qeverisëse me LDK-në, ndaj për këtë bëri thirrje që palët të afrohen pa humbur kohë.
“I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë të m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”
Kryetari i LVV-së tregoi emrat e qeverisë që do të jenë nga partia e tij, pa përmenduar kandidaturën e tij për kryeministër:
- zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi
- Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu
- Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Blerim Reka
- Ministër të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi
- Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari
- Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia
“Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat jo serbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave”.
Tre muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Kosova nuk ka ende qeveri të re të votuar në parlament. Pas mandatimit nga Presidenti, Vetëvendosje ka 15 ditë kohë për formimin e saj.
Nga zgjedhjet e 6 tetorit Vetëvendosje fitoi 32 deputetë, LDK 29, Partia Demokratike e Kosovës 24, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social-Demokrate 13 deputetë, Lista Serbe 10, koalicioni mes Nisma, AKR dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë dhe 10 deputetë të tjerë partitë e vogla.