Presidenti Thaçi kërkesë Shqipërisë: Jepini nënshtetësinë shqiptarëve të Kosovës

Presidenti Thaçi kërkesë Shqipërisë: Jepini nënshtetësinë shqiptarëve të Kosovës

Presidenti kosovar Hashim Thaçi i propozoi Presidentit Meta që Shqipëria t’i  japë nënshtetësi shqiptare shtetasve të Kosovës, për të evituar procedurat për marrjen e vizave dhe lëvizjen e lirë jashtë shtetit:

Gjatë një konference të përbashkët shtypi pas takimit dypalësh, Presidenti Thaçi u shpreh:

“Kosova e ka të qartë qëllimin dhe vizionin e vet që do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE. Por pasi aktualisht BE ka sjellë një rrethanë të izolimit klasik të lëvizjes së lirë të njerëzve, unë e diskutova edhe me Presidentin [Meta] se e vetmja shpresë në këtë moment për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm, është që në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës tu jepet nënshtetësia qytetarëve të Kosovës, veçanërisht studentëve, biznesmenëve dhe njerëzve që kanë nevojë. Kjo është një nevojë imediate që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi që të lëvizin në Europë.”

Kosova është vendi i fundit në Evropë ku qytetarët duhet të aplikojnë për vizë për të udhëtuar brenda zonës Shengen. Ratifikimi i një marrëveshjeje kufitare me Malin e Zi, e paarritur ende, është një nga kërkesat për të filluar procesin e liberalizimit të vizave.

Gjithsesi Presidenti Meta nuk shprehu mbështetje për propozimin e Presidentit Thaçi:

“Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave nuk mund të ketë për momentin një pozitë më të vështirë se sa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të folur për këtë çështje. Për arsye se ka presione dhe kërkesa pafund nga personalitete dhe qytetarë të Kosovës për të marrë  nënshtetësinë e ë Shqipërisë me qëllim kryesor për t’i shpëtuar kësaj bllokade ku padrejtësisht qytetarët e Kosovës ndodhen prej disa vitesh.

Përgjigjja më e mirë është ta zgjidhim së bashku. Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësi shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht dëshirës për të kaluar këtë problem. “

Nëse qeveria shqiptare në një moment në të ardhmen do të vendoste t’i jepte shtetësinë shqiptare shtetasve kosovarë, kjo me siguri do të kërcënonte statusin aktual të Shqipërisë si një vend që mund të udhëtojë lirshëm në zonën Shengen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>