Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Ursula von der Leyen theksoi sot se prioriteti kryesor i ekipit të saj do të jetë shteti i së drejtës, lufta ndaj krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.
Duke folur sot gjatë prezantimit të ekipit të saj me komisionerë, Presidentja e KE-së deklaroi:
“Shteti i së drejtës do të jetë prioriteti im kryesor ndaj kam propozuar Didier Reynders, eurokomisionerin e Belgjikës për Drejtësinë dhe Shtetin e së Drejtës dhe Věra Jourová, eurokomisioneren e Çekisë për portofolin e Vlerave dhe Transparencës.
Eurokomisioneri Reynders ka qenë ai që ka propozuar një sistem për vëzhgimin dhe monitorimin e të gjithë problemeve që kanë vendet e BE-së me shtetin e së drejtës.”
Duke folur për luftën ndaj krimit dhe emigracionit të paligjshëm, Ursula von der Leyen u shpreh se ekipi i saj nuk do t’i tolerojë ato:
“Do të luftojmë trafikimin e qenieve njërëzore dhe atë të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar. Ne duhet të kemi kufij të brendshëm efektivë, të njerëzishëm dhe funksional në mënyrë që të kemi lëvizje të lirë në zonën Schengen.
Duhet të jemi të qartë çfarë është azili dhe kush plotëson kushtet për azil.
Emigrantët e paligjshëm do të duhet të kthehen në vendin e origjinës. BE duhet të pranojë refugjatët që kanë nevojë për ndihmë, por vetëm në mënyrë të ligjshme dhe të rregulltë.”
Presidentja e KE-së tha se ekipi i saj do të mbështesë migrimin e profesionistëve dhe personave të kualifikuar. Për këtë do të punojë Eurokomisioneri grek Margaritis Schinas.
Lidhur me Ballkanin Perëndimor, Von der Leyen tha se dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me vendet e BP-së dhe të ngushtojë më shumë bashkëpunimin me to:
“Ballkani Perëndimor është rëndësishëm për ne dhe i dua afër BE-së, dua marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim me to. Hungaria është vendi që do të punojë në këtë drejtim.”
Në letrën dërguar nga Von der Leyen për komisionerin hungarez László Trócsányi, i cili ka portofolin e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, ajo shkruan:
“Duhet të mbështesës të gjitha përpjekjet në luftën kundër korrupsionit në rajon dhe përpjekjet drejt marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe.”