Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar për sulmet në Zubin Potok dhe Zveçan, e konsideroi Serbinë si “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash,” shkruan Osmani në rrjetin Facebook.
Ajo shtoi se po përdoret e njëjta qasja në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të frenojë synimin e Vuçiçit për të realizuar krijimin e ‘botës serbe’.
“Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi,” shtoi Osmani.
Ajo u bëri thirrje kosovarëve e serbëve të Kosovës t’i refuzojnë skenaret konfliktuale.
Rreth orës 1 të mëngjesit të së shtunës, një qendër e regjistrimit të automjeteve u dogj në Zubin Potok dhe granata u hodhën në një qendër tjetër në Zveçan, dy qytetet në veri të Kosovës. Në mediat serbe nga ana tjetër nuk u publikua asgjë mbi incidentin, por ato kanë botuar lajme të pambështetura se si policia e Kosovës ka dhunuar 3 serbë. Disa raportime thonë se ata u dhunuan për vendosjen e baneërave ” Mirë se erdhët në Asociacionin e Komunave serbe” dhe të tjera se janë rrahur në pikat kufitare.
Prishtina e akuzon Beogradin se kërkon të krijojë perceptimin publik mbi një konflikt mes komunitetit serb dhe forcave kosovare të rendit në kufirin verior.