Presidentja në detyrë Osmani: Nuk është koha për dialog me Serbinë

Nga Exit News
Presidentja në detyrë Osmani: Nuk është koha për dialog me Serbinë

Vjosa Osmani, presidentja në detyrë e Kosovës, mendon se Kosova duhet ta ndalojë përkohësisht dialogun me Serbinë, pas nisjes së proceseve gjyqësore në Hagë për drejtuesit e lartë të vendit dhe UÇK-së.

Në një intervistë për Deutsche Wellen, Osmani u shpreh se Kosova nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë:

“Mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. tani nuk besoj se është momenti i duhur, që Kosova të vazhdojë kinse asgjë nuk ka ndodhur.”

Ajo theksoi se është e nevojshme që të gjithë institucionet e vendit të ulen në bisedime dhe të vlerësojnë situatën:

“Duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson.”

Kryetarja e parlamentit të Kosovës,  Vjosa Osmani mori detyrën e Presidentes në detyrë në vend të Hashim Thaçit, pas dorëheqjes së tij në 5 nëntor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dorëheqjen të enjten pasi u njoftua që aktakuza për krime lufte kundër tij u konfirmua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Marrja e detyrës nga Osmani bazohet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës për mungesën e përkohshme të presidentit:

“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.”

Kushtetuta gjithashtu specifikon që pozita e Presidentit të Përkohshëm të Republikës së Kosovës “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>