Prindërit refuzojnë të çojnë fëmijët në shkollën e dëmtuar ‘Emin Duraku’

Nga Stafi Exit
Prindërit refuzojnë të çojnë fëmijët në shkollën e dëmtuar ‘Emin Duraku’

Prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku”, të dëmtuar nga tërmeti, nuk pranojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre për mësim në këtë shkollë.

Prindërit nuk pranojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për të zhvilluar mësim me turne, vetëm në pjesën e padëmtuar të godinës, pasi nuk kanë asnjë siguri për qëndrueshmërinë e godinës.

Ata i kanë dërguar një peticion Ministrisë së Arsimit, ku kërkojnë pezullim të mësimit deri sa të marrin certifikatën e sigurisë për gjendjen fizike të godinës së shkollës nga ekspertët që siguron se shkolla është e sigurtë.

Më herët prindërit ia kanë kërkuar këtë dokument drejtoreshës së shkollës “Emin Duraku”, e cila ka thënë se nuk e ka shkolla dokumentin, por ministria.

Tërmeti i 26 nëntorit çau shtesën në shkollën 9-vjeçare ‘Emin Duraku’, të rikonstruktuar në vitin 2016 nga Bashkia Tiranë.

Pas vlërësimit të Institutit të Ndërtimit, ekspertët kanë rekomanduar pezullimin e aktivitetit dhe lirimin e godinës.

Shkolla Emin Duraku ka dy godina, njëra për ciklin e ulët dhe tjetra për 9-vjeçaren.

Në godinën e saj janë bërë dy shtesa, një në vitin 1996 dhe një në vitin 2006 për ciklin e ulët, e rikonstruktuar sërish në vitin 2016.

Sipas aktit të konstatimit, kjo shtesë e ciklit të ulët ka pësuar dëmet më serioze.

Në akt kontstatimi të IN-së shkruhet se shkolla ka pësuar këto dëme:

LEXO  PD denoncon: Iu shemb shtëpia nga tërmeti, bashkia asnjë ndihmë për invalidin

– Plasaritje të thella 45 gradë në muret ndarëse;

– Dëmtimi i traut të katit të tretë shtesë (tek 9-vjeçarja);

– Plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë (tek 9-vjeçarja);

– Dëmtim i parapetit në të gjithë godinën;

– Shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues (tek cikli i ulët);

– Ka dëmtime në strukturë;

– Rekomandohet të kontrollohen të gjithë elementët e nevojshëm konstruktivë pasi të hiqen suvatë.

Shkolla Emin Duraku u rikonstruktua në vitin 2016 nga Bashkia Tiranë.

Gjatë inagurimit të punimeve, kryebashkiaku Veliaj shkroi në Facebook:

“Përfunduan klasat shtesë, sistemi ngrohjes e palestra e re tek Emin Duraku. Tirana nuk ndalet.”

Lajme te ngjashme