Prishja e banesave tek Medreseja, në shkelje të Kushtetutës dhe të të Drejtave të Njeriut

Nga Exit News
Prishja e banesave tek Medreseja, në shkelje të Kushtetutës dhe të të Drejtave të Njeriut

IKMT ka nisur sot aksionin për të prishur, një ndërtese 3-katëshe (ish-kopësht) dhe disa banesa private në krah të godinës, në zonën e Medresesë. Policia Bashkiake rrethoi zonën sot në mëngjes dhe nuk lejoi banorët dhe mediat t’i afrohen zonës.

Banorët kanë kundërshtuar prishjen e shtëpive dhe kanë tentuar të ndalojnë policinë, duke u përplasur me policinë. Policia arrestoi katër prej tyre.

Ata sqaruan për News 24, se toka në të cilën ndodhen ndërtesat i është kthyer atyre në vitin 1997, me vendim të Kthimit e Kompesimit të Pronave. Banorët sqarojnë se, në muajin dhjetor, në mënyrë private, janë lajmëruar se me një vendim te Këshillit të Ministrave, të vitit 2017, ata janë shpronësuar.

Vendimin për shpronësim banorët e kanë kundërshtuar në gjykatë, ku çështja vazhdon ende.

Deri më tani Bashkia Tiranë nuk ka bërë publik asnjë projekt konkret. Bashkia nuk i ka ofruar kompesim, por sipas banorëve, vetëm mundësinë për strehimin social.

Shkeljet ligjore

Shpronësimi i banorëve shkel një sërë të drejtash të banorëve dhe ligjesh.

Së pari, ai shkel të drejtat kushtetuese të qytetarëve. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese e sanksionuar në Nenin 42 i cili shprehet:

E drejta e pronës private është e garantuar.

dhe

Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Kushtetuta lejon shpronësim vetëm pasi pronarëve t’u jetë paguar dëmshpërblim i drejtë. Në rastin konkret, banorët megjithëse kanë marrë njohuri mbi shpronësimin, ata e kanë ankimuar atë në gjykatë.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr.557 në vitin 2017 në të cilin nuk përcakton afatet dhe procedurat për dëmshpërblimin në shkelje të ligjit “Për shpronësimet” që përcakton qartë se:

“Vendimi i shpronësimit duhet të përmbajë:

… c) masën e shpërblimit për pronarët që shpronësohen, për pronarët e pasurive që zhvlerësohen, për personat e tretë që kompensohen për të drejtat e tyre për shkak të pronësimit, si dhe afatin dhe mënyrën e pagimit të tyre;”

Po ashtu e drejta e strehimit është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet:

“Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.”

dhe

“Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”

Në një sërë vendimesh të Gjykatës së Strasburgut është bërë e qartë se e drejta e strehimit përfshin edhe rastin e godinave të ndërtuara më mënyrë të paligjshme ose që ju mungon dokumenti i pronësisë.

Vetëm gjatë vitit 2016 ka patur dy raste që kanë konfirmuar këtë qëndrim të konsoliduar të Gjykatës së Strasburgut: Ivanova dhe Cherkezov kundër Bulgarisë dhe Bagdonavicius dhe të tjerët kundër Rusisë.

Gjykata e Strasburgut u shpreh:

“Aplikanti nuk kishte në dispozicion një procedurë proporcionale për prishjen e shtëpive të tyre të palegalizuara nga autoritetet shtetërore. Gjykata, për këtë arsye, thekson se do të përbënte shkelje të nenit 8 të KEDNJ nëse nuk do të respektohej parimi i proporcianalitetit në këtë rast.”

Aksioni i Bashkisë shkel një sërë ligjesh të tjera, përfshi ligjet e informimit të publikut dhe të transparencës. Bashkia Tiranë, deri më tani nuk ka bërë publik asnjë studim, dokument, skicë, projekt në lidhje me ndërhyrjen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>