Para një jave, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pohoi kalimthi gjatë një aktiviteti publik se Kompania Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) do të privatizohet.
Ai bëri të ditur se janë disa kompani, ndër të cilat një kompani e rëndësishme kineze, të cilat kanë shfaqur interes për privatizimin e UKT-së.
Për ta bërë sa më të besueshme pohimin e tij, Zoti Veliaj deklaroi se ky interes “është një kompliment për punën e UKT-së, …. që po kuotohet në treg falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët”.
Por pavarësisht entuziazmit në dukje të Zotit Veliaj, duket se pohimi i tij më shumë se informim i publikit është shmangie e vemendjes së publikut.
Tre ditë para deklaratës së zotit Veliaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit botoi një raport kontrolli mbi UKT-në, i cili e paraqiste gjendjen e menaxhimit të kompanisë si të mbushur me shkelje dhe abuzime serioze.
Në mënyrë të veçantë raporti nxirrte në pah punësimet e paligjshme duke e tejfryrë personelin e UKT-së, me qëllim punësimin e militantëve, si dhe abuzimet në prokurim përmes tenderave fiktivë dhe me shkelje ligjore.
Pikërisht, ideja e privatizimit të UKT-së mund të jetë bërë për të larguar vëmendjen nga raporti i rëndë i KLSH-së, si dhe nga akuzat e tjera me të cilat përballet Bashkia e Tiranës për shkak të skandalit në pikën e mbledhjes së plehrave në Sharrë.
Kjo ide përforcohet nga mënyra joformale e bërjes publike të lajmit, kalimthi gjatë disa komenteve rutinë propagandistike për mediat të Kryebashkiakut Veliaj.
Ndërkohë, nuk ka asnjë informacion të bërë publik në lidhje me privatizimin—madje kjo çështje nuk është përmendur kurrë më parë, në asnjë rrethanë, sikurse nuk ka asnjë plan, program apo vendim të Bashkisë Tiranë për privatizim.
Për më tepër, Kryebashkiaku Veliaj iu referua një kompanie të rëndësishme kineze,në mënyrë të pazakontë, pa përmendur ndonjë emër konkret edhe pse ky informacion duhet të ishte publik.
Nga ana tjetër, UKT është një ndërmarrje me probleme të mëdha, përfshi infrastrukturën e vjetëruar, teknologjinë e prapambetur, problemet të thella të menaxhimit e sidomos probleme pë mbledhjen e të ardhurave nga konsumatorët.
Çdo investitor që mund të marrë në pronësi ndërmarrjen, nga njëra anë, do të duhet të investojë dhjetra miliona euro në infrastrukturë dhe teknologji dhe, nga ana tjetër, duhet të përballet me probleme serioze për mbledhjen e të ardhurave. Për këto arsye, është e vështirë të besohet se UKT në gjendjen e tanishme mund të ngjallë interesin e kompanive të huaja serioze, të cilave do t’ju duhet të ndesheshin me shumë probleme dhe, në rastin më të mirë, me fitime relativisht të papërfillshme.
E thënë ndryshe, një kompani serioze do të duhej të vendoste të merrte një kompani problematike, të investonte dhjetra milionë euro, të ndeshej me problemin serioz të detyrimit të popullatës për të paguar, dhe të gjitha këto me shpresën se mund të fitojë pak milionë euro pas shumë vjetësh.
Disa media kanë raportuar fitime rreth 5 milionë euro të UKT-së për vitin 2015, por këto janë fitime kontabël, në letër. Në të vërtetë kompania nuk arrin të mbledhë të ardhurat e saj për mbi 30 përqind të ujit të lëshuar në rrjet, ndërkohë që nga ana tjetër ajo ka qenë e përfshirë disa herë në përpjekje për të mbifaturuar me qëllimin e kompensimit të humbjeve nga mbipagesa e konsumatorëve të rregullt.
Gjithsesi, çdo lloj diskutimi rreth shëndetit financiar dhe menaxherial të kompanisë është i vështirë pasi të dhënat rreth kopmpanisë, përfshi ato financiare janë të kufizuara.
UKT nuk ka bërë publik dhe nuk ka botuar në QKR raportin vjetor të vitit 2015, sikurse kërkohet me ligj. Ndërsa në faqen e kompanisë në rrjet, ka vetëm propagandë, por asnjë raport vjetor apo informacion tjetër teknik, financiar apo menaxherial rreth kompansië.
Përtej këtyre konsideratave, pohimi për privatizim nga Zoti Veliaj është i dyshimtë edhe për faktin se ai iu referua thjesht ujësjellësit, ndërkohë që kompania është kompani ujësjellës-kanalizimesh. Për këtë arsye është e çuditshme që interesi për privatizim të jetë për një pjesë të kompanisë.
Së fundmi, duhet thënë se deklarata e Zotit Veliaj është përtej kompetencave të tij, pasi kompetencën për tjetërsimin e pronave bashkiake, përfshi pronësinë në kompani, e ka këshilli bashkiak dhe jo kryetari i bashkisë.
Deri më sot nuk ka patur asnjë vendim dhe asnjë plan të paraqitur apo miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për privatizimin e UKT-së.