Çështja e Teatrit Kombëtar, e cila në fillim u duk thjesht si histori e zakonshme e arrogancës dhe e korrupsionit, e shtyrë nga lakmia e pangopur për betonizim e një politikani, i cili u bë i famshëm për formulën “një pallat, një votë”, tani po merr ngjyrat e groteskut.
Sikurse Exit.al ka shkruar këto ditë, projekti i paraqitur nga Edi Rama dhe Bjorke Ingels është shumë i ngjashëm me projektin e prezantuar në 2011 në një konkurs për ndërtimin e një teatri në Korenë e Jugut nga studioja e famshme arkitekturore ukrainase Forma.
Kjo gjë vështirë se do të ndodhte nëse projekti i ri do t’i ishte nënshtruar konkurrimit publik. Por nxitimi e fshehtësia dhe arroganca për të vendosur çdo gjë vetë, çuan në një shaka të keqe për Edi Ramën, që tani ndihet se ja kanë hedhur ndërsa përballet me kundërshtimet e hapura të intelektualëve dhe me një projekt botërisht të turpëruar si të vjedhur.
Gjendja është ironike: një projekt i kopjuar (në shkelje të dukshme të të drejtave të autorit) për t’u ndërtuar në shkelje të dukshme të planifikimit urban, me një operacion financiar aspak transparent dhe aspak të volitshëm, në dëm të një teatri sigurisht të vjetër por origjinal, për të mirëpritur aktivitetet më intelektuale të jetës shoqërore shqiptare.
Kjo është një histori simbol e Shqipërisë së Ramës: për të shuar pakënaqësitë e intelektualëve shqiptarë, e për të justifikuar vjedhjen e pronës publike dhe shkatërrimin e kujtesës kolektive, të mundësuara nga paratë e drogës, Udhëheqësi Botëror, Artisti Gjenial, iu drejtua vjedhjes intelektuale.