Qeveria ka miratuar më datën 3 prill tre kontrata për blerje të pajisje testesh mjekësore në QSUT, për trajtim dhe asgjesim të mbetjeve spitalore të QSUT dhe blerjen e dy respiratorëve të rinj, për të përballuar krizën e koronavirusit.
Vendimi i qeverisë i publikuar të premten shprehet vetëm se këto kontrata janë bërë për “interesa thelbësorë të shtetit” dhe janë lidhur me procedurë të drejtëpërdrejtë, pa shpallje duke caktuar kontraktorin dhe duke negociuar direkt me të kushtet.
Kontratat nuk janë bërë publike—dihet vetëm emri i kompanive me të cilët janë lidhur kontratat. Kjo mungëse totale transparence ka ngjallur dyshime për mënyrën e caktimit të kompanisë dhe kushtet e ofrimit të shërbimit apo mallrave, përfshi cilësinë dhe çmimin e tyre.
Ligji për Prokurimet Publike (neni 6), përcakton se qeveria mundet të mos zbatojë procedurat e prokurimit të parashikuara në ligj kur bëhet fjalë për “interesa thelbësore të shtetit”.
Termi “interes thelbësor i shtetit” është i papërcaktuar në kuadrin ligjor dhe nënligjor të vendit, duke krijuar boshllëk ligjor dhe hapësirë për përdorimin abuziv të tij që i jep mundësi për të shmagur ligjin e prokurimit dhe konkurencën në sigurimin e shërbimeve dhe mallrave nga institucionet publike.
Duket se qeveria e ka rrokur këtë mundësi, pasi pa përcaktuar se çfarë është “interesi thelbësori i shtetit” dhe rrethanat që mund të konsiderohen të tilla, ajo ka përcaktuar me një vendim, të shkurtit 2020, procedurat që përdoren për prokurimin në këto kushte.
Sipas vendimit, institucionet publike kanë të drejtë të zgjedhin të bëjnë kontraktim të drejtpërdrejtë me këdo kandidat të identifikuar që mund të ofrojë shërbimet dhe mallrat e kërkuara në rastet e një nevoje urgjente “të shkaktuar nga rrethana të jashtëzakonshme jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe koha në dispozicion për zgjidhjen e nevojës urgjente nuk është e mjaftueshme për zhvillimin normal të procedurave të tjera.”
Vetë vendimi është i debatueshëm për nga ana e ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë së tij, por fakti është se ai ka hapur rrugën për prokurimet që po bën tani qeveria me procedurën: zgjidh një kandidat që mund të ofrojë mallin apo shërbimin e kërkuar, negocim direkt dhe pastaj lidh kontratën me të—të gjitha në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë transparencë.
Kjo procedurë arbitrare po përdoret nga qeveria për të gjitha kontraktimet në kushtet e krizës së koronavirusit.
Për më tepër, qeveria nuk ka publikuar asnjë nga kontratat, edhe pse kjo gjë mbetet detyrim i saj, pasi as prokurimi në kushtet e “interesave thelbësorë” nuk e ka hequr detyrimin e qeverisë për të bërë publike kontratat.
Mbajtja e fshehtë kontratave ka shtuar dyshimet për abuzime me këto kontrata.