Sot Prokuroria e Durrësit arriti në përfundimin se 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kokainës e trafikuar ndonjëherë në Shqipëri, u trafikuan vetëm nga një person, Arbër Çekaj.
Prokuroria e Durrësit mbylli sot hetimet dhe dërgoi dosjen në gjykatë. Prokuroria akuzoi si fajtor vetëm Arbër Çekajn, i cili është arrestuar në Gjermani dhe ndër të tjera po hetohet dhe nga prokuroria gjermane për trafik droge brenda Gjermanisë.
Në shkurt 2018, 613 kilogramë kokainë kolumbiane u trafikuan në Shqipëri përmes kontejnerët të bananeve të porositura nga firma shqiptare “Arbi Garden”, në pronësi të Arbër Çekajt. Menjeherë policia arrestoi shoferin e kontejnerit dhe magazinierin e firmës, të cilët u liruan pas disa muajve, pasi prokuroria nuk mundi të vërtetojë fajësinë e tyre. Arbër Çekaj, pronari i kompanisë, u shpall në kërkim nga institucionet shqiptare dhe në maj 2018, u arrestua në Gjermani.
Fillimisht çështja u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por në prill 2018 Prokuroria shpalli moskompetencë për hetimin dhe ia kaloi atë Prokurorisë së Durrësit, pasi rasti u regjistrua vetëm si “trafik i lëndëve narkotike” dhe jo “grupim i strukturuar kriminal”—ndryshimet e Kodit Penal të para dy vjetësh në mënyrë skandaloze ja kanë kaluar kompetencën e trafikut të drogës prokurorive të rretheve, duke i lënë PKR-së vetëm rastet kur krimet kryhen nga grupe të strukturuara kriminale.
Sikurse Exit.al paralajmëroi në një artikull të mëparshëm, vendimi i PKR minoi hetimin pasi Prokuroria e Durrësit nuk ka as mjetet dhe as njohuritë e përvojën e nevojshme për hetime të tilla.
Është e paqartë se si Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas prokuroria e Durrësit arritën në përfundimin se trafikimi i një nga ngarkesave më të mëdha të kokainës të kapura në historinë e Shqipërisë nuk është kryer nga një grup i strukturuar kriminal, por nga një individ i vetëm kur dihet se informacioni fillestar për ngarkesën e kokainës erdhi nga ushtria kolumbiane. Sipas njoftimit të ushtrisë kolumbiane ngarkesa i përkiste organizatës kriminale të armatosur Klani i Gjirit (Clan del Golfo).
Kodi i Procedurës Penale e përcakton grupin e strukturuar kriminal si formën më të ulët të organizimit kriminal—hierarkia e organizimeve kriminale është: organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë e armatosur dhe, në fund, grup i strukturuar kriminal.
Grupi i strukturuar kriminal përcaktohet në Nenin 28 të Kodit të Procedurës Penale, pika 4:
“Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.”
Të paktën në dukje, ky vendim i prokurorisë ngjan i pashpjegueshëm, kur është e qartë se trafikimi nga Kolumbia në Shqipëri i një sasie të madhe kokaine duhet të ketë kërkuar një seri veprimesh të kordinuara—prodhimin, paketimin, planifikimin dhe ndarjen e kodifikuar të ngarkesës në pako të veçanta sipas destinacionit final; transportin deri tek vend-ndodhja e kontenjerit dhe fshehjen e drogës në dyshemen e kontenjerit; transportimin e kontenjerit me drogë në pikën e ngarkimit me banana; transportin e kontenjerit në anije; kalimin e kontenjerit në disa porte dhe pritje e kontenjerit në Shqipëri.
Në vazhdimësi—edhe pse veprimet e mëtejshme u ndaluan nga kapja e ngarkesës—duhet të ishte planifikuar dërgimi i kontenjerit në një pikë të veçantë në Shqipëri, nxjerrja e drogës nga dyshemeja e kontenjerit, me gjasa, përpunimi i kokainës së pastër duke e përzjerë me substanca të tjera, ripaketimi i saj, dhe në fund transporti i saj për t’u trafikuar në vende të ndryshme të BE-së në shumë ngarkesa më të vogla.
Në një farë mënyrë, Prokuroria e Durrësit ka arritur në përfundimin se të gjitha këto veprime janë planifikuar dhe janë kryer vetëm nga një person, Arbër Çekaj.
Vendimi i Prokurorisë praktikisht nënkupton, gjithashtu, një vendim të rëndësishëm të grupit hetimor: trafiku i kësaj sasie të jashtëzakonshme kokaine nuk ka patur asnjë lidhje dhe asnjë mbështetje të planifikuar apo ushtruar nga zyrtarë apo politikanë në Shqipëri. Të paktën, në dukje, ky është vendim i habitshëm.
Praktikisht, Prokuroria ka arritur në përfundimin e habitshëm se një nga klanet më të rrezikshme dhe më të sofistikuara të prodhimit dhe trafikut të kokainës në botë ka dërguar një sasi të jashtëzakonshme kokaine të pastër në Shqipëri duke u treguar aq diletant sa t’ja besojë operacionin një biznesmeni të vetëm dhe të parëndësishëm shqiptar.
Vendimi i sotëm i prokurorisë dëshmon edhe një nga skandalet e reformës në drejtësi: ndryshimet e Kodit Penal në kuadër të reformës në drejtësi e ndryshuan juridiksionin e trafikimit të drogës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë të rretheve. Këtë skandal Exit.al e bëri publik dhe denoncoi që në kohën e miratimit të ligjit.
Ky vendim dëshmon qartë se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë me qëllim për të zbehur përpjekjet e luftës dhe hetimit të trafikut të drogës. Është po e arsyeshme të mendohet se prokuroria me këtë vendim ka patur qëllim të mbrojë zyrtarët dhe politikanët e përfshirë në mbështetje të trafikut të drogës.