
Prokuroria e Përgjithshme me anë të një deklarate për shtyp njofton se Kushtetuta e re pengon punën e institucionit.
Prokuroria kërkon miratimin e një dispozite të përkohshme deri në miratimin plotë të paketës së reformës në drejtësi dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Në njoftimin për shtyp thuhet se Prokuroria është i vetmi institucion për të cilin nuk është parashikuar një dispozitë për të rregulluar funksionimin deri në miratimin e projektligjeve plotësuese të reformës.
Më poshtë po rendisim çështjet kryesore ku cënohet puna e Prokurorisë së Përgjithshme:
- Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për hetimin e zyrtarëve të lartë, deputetë, ministra, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj.
- Prokurori i Përgjithshëm nuk ka të drejtën e vendimmarrjes për karrierën e prokurorëve – emërim, komandim, transferim, shkarkim.
- Nuk dihet se si do të veprohet me cështjet në proces inspektimit dhe procedime disiplinore për prokurorë dhe oficerëve të policisë gjyqësore, të cilat janë në zhvillim nga ana e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme.