Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj Valdrin Pjetrit. Autoritetet vonuan ta konfirmonin të shkuarën e ish-kandidatit socialist për Bashkinë Shkodër, për shkak se në Itali ai kishte dhënë identitet tjetër.
Burime për Ora-News thanë se në vitin 2003 Valdrin Pjetri u qe prezantuar autoriteteve italiane me emrin Valdrim dhe se kjo gjë solli vonesa për verifikimet pasi u deshtën shenjat e gishtave për të konfirmuar plotësisht.
Pesë muaj pasi qe denoncuar nga opozita, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se në vitin 2003 zoti Pjetri kishte fshehur faktin se ishte arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Italia për drogë.
Rreth një muaj më vonë, Ora News thotë se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kallëzimin penal.
Zoti Pjetri akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burg dhe mos-ushtrim për një kohë të caktuar të funksioneve publike.
Përveç Zotit Pjetri, opozita ka akuzuar për fshehje të së shkuarës në deklaratat e dekriminalizimit edhe kryeabashkiakët e Vaut të Dejës dhe Vorës, Mark Babanin dhe Agim Kajmakun. Ky i fundit pas verifikimeve rezultoi vërtetë se nuk kishte deklaruar arrestimin dhe hetimin në Greqi për përdorim parash të falsifikuar, nën identitet të rremë Jorgo Toto.
Aktualisht Kajmaku është dënuar me burg në mungesë, pasi autoritetet nuk mundën ta arrestonin. Bashkia Vorë drejtohet nga nënkryetari Gentian Picari, emëruar nga Zoti Kajmaku një ditë përpara se t’i hiqej mandati.