Për të zbardhur vrasjen e ish-policit Santiago Malko për të cilin dyshohet një grup prej 9 personash, Prokuroria e Tiranës shpreson te bashkëpunimi i Ilir Selmanit, të cilit i ka ofruar statusin e të penduarit.
Selmani, 35 vjeç, u arrestua të enjten nga policia si pjesëtar i grupit të dyshuar për vrasjen e ish-policit.
Mediat raportuan të premten se Selmanit i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë megjithëse ai ka mohuar dijeninë dhe lidhjet me vrasjen e ish-policit.
Për Selmanin, Gjykata e Shkallës së parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg, si i dyshuar për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Statusi i bashkëpunëtorit mund ta lehtësojë nga këto akuza.
Malko u vra në gusht të vitit 2019 në rrugën Xhanfize Kejko me një atentat të stilit mafioz.
Ai njihej për shoqërinë me Ervis Martinajn, ky i fundit akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentash, pastrim parash dhe evazion fiskal.
Selmani u arrestua në një apartament rreth 1 kilometër larg vendit ku ndodhi vrasja.
Policia i gjeti atij një pistoletë, të cilën pretendoi se e mbante për vetëmbrojtje nga frika se mos kundërshtarët e grupit mund ta sulmonin.
Në vrasjen e Malkos dyshohet se morën pjesë 9 persona, 7 prej të cilëve janë në arrati:
Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani (arrestuar), Blendi Teta (arrestuar), Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhon Nica.