Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 12 vjet burg për Saimir Tahirin ish-ministrin e Brendshëm.
Ai akuzohet për tre vepra penale si trafik ndërkombëtar të narkotikëve, për pjesmarrje në organizatë kriminale, për pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në seancën e datës 17 korrik Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi gjykim të shkurtuar për Saimir Tahirin.
Tahiri gjykohet së bashku me Jaeld Çelën, Sokol Boden dhe Gjergji Kohilën ish-drejtues të policisë në Vlorë, të tre janë në kërkim nga policia.
Ish-ministri Tahiri është ministri i parë në Shqipëri i akuzuar nga Prokuroria për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge.
Hetimet për të nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Katania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Emri i ish-Ministrit Tahiri doli në përgjimet e bëra ndaj këtij grupi nga pokuroria italiane.
Habilajt u dënuan nga Gjykata e Katanias po më 19 qershor kur seanca ndaj Tahirit në Tiranë u shty. Moisi Habilaj u dënua me 15 vjet, Nazer Seiti me 8 vjet dhe Meridian Sulaj gjithashtu me 8 vjet burg.