Prokuroria nis hetimet për sanitaren e Covid2

Nga Exit News
Prokuroria nis hetimet për sanitaren e Covid2

Prokuroria e Tiranë nisi, të mërkurën, hetimet për sanitaren Tire Alldervishaj, e cila mashtroi familjaren e një pacienteje në spitalin Covid2, duke u hequr si infermiere.

Përmes një njoftimi për shtyp prokuroria shprehet se ‘do të bëjë një hetim të plotë dhe të thelluar për të qartësuar nëse ndodhemi para një rasti sporadik apo para një skeme të mirëfilltë përfitimi nga personeli mjekësor’.

Mbrëmjen e 12 janarit në emisionin Stop u raportua se sanitarja Tire Alldervishaj ka mashtruar duke u hequr si infermiere dhe i ka marrë familjes së pacientes rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet brenda në spital. Menjëherë pas lajmit, ministria ka dënuar aktin dhe kërkon shkarkimin e sanitares.

Mëngjesin e së mërkurës, sanitarja u arrestua. Tani ndaj saj rëndon akuza e mashtrimit.

Vajza e pacientes ka denoncuar sanitaren dhe ka dorëzuar në prokurori bisedat me sanitaren për paratë e marra.

Sipas bisedave, sanitarja i kërkonte para vajzës për t’ia shpërndarë mjekëve dhe infermierëve që kujdeseshin për pacienten. Po ashtu sanitarja kërkonte ushqim, ujë dhe mjete të tjera që duhet të mundësoheshin nga spitali, si termometër dhe pampersa.

Paraditen e së mërkurës, spitali Covid2 kërkoi hetim të plotë ndaj sanitares dhe u distancua nga veprimet e saj. Spitali theksoi se ‘ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor’.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>