Prokuroria nuk gjen dot Kajmakun, ndonëse ai shkon përditë në zyrë në Bashkinë Vorë

Prokuroria nuk gjen dot Kajmakun, ndonëse ai shkon përditë në zyrë në Bashkinë Vorë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka njoftuar sot se nuk ka mundur t’ia dorëzojë Kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakut, kërkesën për të dhënë gjurmët e gishtave, pasi posta ka ngatërruar adresë.

Në njoftimin e institucionit të drejtuar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku shkruhet:

“I është kërkuar shtetasit Agim Kajmaku të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore dhe këtij të fundit të përcjellë gjurmët daktiloskopike pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe ende nuk është administruar një përgjigje në lidhje me këtë kërkesë. Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën.”

Me sa duket, përveçse nuk i ka shkuar kërkesa në dorë, zotit Kajmaku nuk i paska rënë në vesh as lajmi i bujshëm i para pak ditëve, në thuajse të gjitha mediat e vendit, se prokuroria ka nisur veprimet e menjëhershme, duke i kërkuar atij shenjat e gishtave.

Në njoftimin e plotë, me mbi 600 fjalë, nuk është e qartë nëse prokuroria do t’i vazhdojë përpjekjet për t’ia dhënë kërkesën në dorë zotit Kajmaku. Sidoqoftë, gjatësia dhe detajet e njoftimit tregojnë rëndësinë e madhe që ajo i jep akuzave për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit.

Një kërkim i shpejtë tregoi se zoti Agim Kajmaku ka vetëdeklaruar këtë adresë: “Gjeç-Kodër, Prezë, Tiranë”. Gjasat janë të larta që edhe prokuroria të ketë përdorur këtë adresë për kërkesën e saj për zotin Kajmaku.

Gjeç-Kodër në Prezë ka plot 75 ndërtesa, ndaj vështirësia e të gjeturit të një adrese të vetme në këtë mori ndërtesash është disi e vetëkuptueshme.

Prokuroria duket se është nisur me mirëbesimin se zoti Kajmaku ka vetëdeklaruar adresën e tij të vërtetë. Me sa duket, ky mirëbesim ka rezultuar i tepruar.

Exit.al i sugjeron prokurorisë të kërkojë për zotin Agim Kajmaku në godinën e Bashkisë së Vorës. Zoti Kajmaku punon përditë në zyrën e tij në këtë bashki, pasi është kryetar i saj. Bashkia e Vorës gjendet në Vorë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>