Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, dhe ka dërguar dosjen në gjykatë.
Akuzat që rëndojnë mbi Kajmakun janë ‘falsikimi i vulave’, ‘falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘kryerja e funksionit shtetëror pas përfundimit të afatit’.
Agim Kajmaku u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit, duke mos deklaruar të shkuarën kriminale në formularin e vetëdeklarimit.
Përveç fshehjes së rekordeve kriminale, prokuroria dyshon se Kajmaku shkarkoi nga detyra dy zëvendëskryetarët e Bashkisë dhe emëroi dy të rinj, pasi KQZ e kishte shkarkuar, në shkelje të ligjit.
Exit News rendit kronologjinë e çështjes Kajmaku:
5 gusht – Agim Kajmaku betohet si Kryetar i Bashkisë Vorë
22 gusht – PD denoncoi se Kajmaku kishte fshehur një ndjekje penale për falsifikim parash në Greqi
29 gusht – PD publikoi dokumenta që konfirmonin pretendimet
13 shtator – Gjykata e Janinës shpall të pafajshëm Kajmakun për akuzën e falsifikimit të parave
28 tetor – Prokuroria konfirmoi pretendimet e PD-së
1 nëntor – KQZ shkakron Kajmakun për shkelje të ligjit të dekriminalizimit
6 nëntor – Kajmaku kallëzohet për falsifikim dokumentash në shkarkimin e ish-vartësve të tij
11 nëntor – Prokuroria lëshon urdhër arrest për Kajmakun
12 nëntor – Gjykata e Tiranës vendos arrest me burg në mungesë
16 nëntor – Kajmaku apeloi vendimin dhe masën e sigurisë
21 nëntor – Gjykata e Apelit lë në fuqi të njëjtën masë dënimi
Prej 11 nëntorit zoti Kajmaku është në arrati. Për arrestimin e tij dështuan dhjetëra aksione policore të cilat dyshohen se u dekonspiruan.
Lufta politike brenda PS-së në Bashkinë Vorë
Çështja ndaj Zotit Kajmaku lidhet me faktin se ai shkarkoi dy nënkryetarët Hekuran Brahimaj dhe Laureta Omeri dhe emëroi vetëm një nënkryetar, ish-shefin e kabinetit Gent Picarin. Mediat analizuan se kështu ai ia bëri të detyrueshëm Këshillit Bashkiak ngarkimin me detyrë një të besuari të tij dhe jo një prej personave që kishin mbështetje prej Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
Gazetarja e Abc-Neës, Esiona Konomi ka raportuar se zonja Omeri ishte e rekomanduara nga Ministrja Balluku për të marrë detyrën pas largimit të Kajmakut. Zonja Balluku është e deleguara e Partisë Socialiste për Vorën.
Sipas gazetares Konomi, këtë lëvizje zoti Kajmaku e ka bërë mëngjesin e 1 nëntorit, përpara se KQZ ta bënte publike shkarkimin e tij. Mirëpo më 6 nëntor ai u kallëzua nga ish-nënkryetarja Laureta Omeri për “falsifikim dokumentash” dhe “ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.