Prokuroria përplaset me avokatët e Salih Mustafës për nisjen e gjyqit

Nga Exit News
Prokuroria përplaset me avokatët e Salih Mustafës për nisjen e gjyqit

Zyra e Prokurorit të Specializuar me bazë në Hagë sugjeroi të hënën që gjyqi kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, të fillonte në mars, por pala mbrojtëse e tij kërkoi një kohë më të gjatë për t’u përgatitur për çështjen.

Ekipi i Prokurorisë njoftoi se procesi i zbulimit tani është “kryesisht i përfunduar” dhe ai do të finalizohet deri më 15 shkurt. Prandaj gjyqi kundër Mustafës sipas tyre duhet të fillojë “që nga marsi i vitit 2021”.

Avokati i Mustafës, Julius Von Boné tha se palës mbrojtëse i duhet shumë më shumë kohë, për të intervistuar dëshmitarët.

Ai shtoi se prokuroria kishte vite për të përgatitur çështjen, ndërsa mbrojtja ishte nën “shumë presion”.

Prokurori tha se gushti, siç sugjerohet nga mbrojtja për përfundimin e hetimeve, është i papranueshëm.

Salih Mustafa nuk ishte i pranishëm para gjykatës, pasi njoftoi me shkrim Dhomat e Specializuara për mungesën e tij.

Një javë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës zgjatën paraburgimin për Mustafën.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou udhëroi zgjatjen e arrestimit të tij për këto arsye: rreziku i fluturimit, rreziku i pengimit të përparimit të procedurave të Dhomave të Specializuara dhe rreziku i kryerjes së krimeve të mëtejshme.

Salih Mustafa ishte komandant i UÇK-së dhe është qytetari i parë i Kosovës që gjykohet para Dhomave të Specializuara me një aktakuzë të konfirmuar.

Ai ishte i pari i arrestuar nga gjykata me bazë në Hagë në fund të Shtatorit.

Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan në Gusht 2015, nga Parlamenti i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara të kryera gjatë dhe pas luftës 1998 – 2000.

Dhomat janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por të kontrolluara nga ndërkombëtarë dhe të vendosura në Hagë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>