Arkitekti i Madh Peter Wilson — i cili tashmë angazhim kryesor ka të fitojë tenderat që organizon me ndershmëri e paanshmëri Kryeministri Edi Rama — ka vizituar para pak ditësh fabrikën e Birrës Korça.
Siç raporton News 24, gjatë kësaj vizite, Arkitekti i Madh u shpreh: “Është një vlerë e këtij qyteti fakti që kjo fabrikë ndodhet këtu dhe vazhdon punën… Provova birrën dhe pa diskutim ajo është shumë cilësore, është e një niveli të lartë.”
Flitet se, pas vizitës, Arkitekti i Madh Wilson ka diskutuar për mbi dy orë me Fanen, Pronarin e Madh të fabrikës.
Biseda është përqëndruar, kryesisht, rreth epistemologjisë së të bukurës dhe zbatimit të filozofisë platoniane në arkitekturën moderne.
Kjo gjë duket se nuk është shumë e lehtë, pasi sikurse u shpreh Fanja, “raporti mes artit dhe epistemologjisë ka qenë përherë i tensionuar që nga debatet filozofike të Greqisë së lashtë.”
Gjatë bisedës u zbulua se, ndërsa Arkitekti i Madh Wilson është i rrymës platoniane, Pronari i Madh Fane është pasues i Aristotelit dhe beson se njeriu mund të mësojë nga arti.
“Unë mendoj që Aristoteli kishte të drejtë kur deklaroi se përqëndrimi në emocionet mimetike mund të jetë i dobishëm për karakterin, pasi prodhon një katharsis shpirtëror,” — i tha Fanja Arkitektit të Madh.
Për ta konkretizuar këtë ide, Pronari i Madh i tregoi Arkitektit të Madh se si i bëhet mishi kokrra-kokrra dhe i fillon një reflektim i brendshëm filozofik sa herë që ai hedh vështrimin në mobiljet luksoze të shtëpisë së tij.
Pas takimit, Arkitekti i Madh Wilson u shpreh se biseda e ngacmoi dhe frymëzoi shumë intelektualisht e artistikisht dhe tani ai mezi po pret tenderin tjetër të Kryeministrit Rama për ta jetësuar këtë frymëzim në praktikë.
Flitet gjithashtu se takimi i të mëdhenjve Fane dhe Wilson, ka bërë xheloz Zotin Lulzim Basha, i cili ende nuk e ka kapërxyer depresionin intelektual që provoi kur e la Pronari i Madh Fane me të cilin bisedonte shpesh për epistemologjinë e politikës dhe vetë jetës.