Studentë, pedagogë dhe administrata e Fakultetit të Shkencave të Natyrës bojkotuan sot mësimin në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë për t’i hequr universitetit pronësinë e Kopshtit Botanik dhe për t’ia kaluar atë Bashkisë Tiranë.
Sindikata e punonjësve të universitetit do të marshojë drejt gjykatës Administrative të Apelit, ku sot pritet të merret dhe vendimi për pronësinë e kopshtit.
Kryetari i sindikatës së punonjësve të Universitetit të Tiranës, Qazim Lataj deklaroi se nëse gjykata nuk jep vendim të drejtë, atëherë ata do të vazhdojnë rezistencën e tyre deri në greve:
“Do të vazhdojmë me të gjitha rrugët që na njeh ligji. Do jemi në kërkim të së drejtës sonë.
Kopshti Botanik është ndërtuar si laborator kërkimor shkencor pranë Fakultetit të Shkencave që në 1965-ën dhe duam që kjo trashëgimi të vazhdojë.
Ai në fakt nuk është vetëm një laborator shkencor, por një bazë ruajtjeje për bimët endemike që po shkojnë drejt zhdukjes.”
Seanca e sotme në gjykatën Administrative të Apelit është e dyta, pasi seanca e parë më 9 tetor, dështoi pasi pala e akuzuar, qeveria, mungoi.
Më shumë për vendimin e qeverisë për të transferuar pronësinë dhe administrimin e Kopshtit Botanik të Tiranës nga qeveria dhe Universiteti i Tiranës tek Bashkia Tiranë mund të lexoni këtu dhe këtu.