Pas incidentit në Kuvend, ku Nënkryetari i Kuvendit Edi Paloka hodhi bojë mbi trupin e Kryeministrit Rama, ky i fundit bërë një deklaratë publike, ku e etiketoi këtë veprim si gjestin e “një pakice që nuk do të bëhej kurrë shumicë”.
Ajo që nënkupton zoti Rama është se ai është votuar nga shumica e zgjedhësve dhe se shqiptarët e duan qeverinë e tij. Por atëherë, përse është Kryeministri kaq i shqetësuar nga protesta e opozitës?
Nëse shikon përtej shpotive të tij të zakonshme, mund të kuptosh se Kryeministrin e ka kapur frika: veprimet e tij nuk janë ato të një udhëheqësi të sigurt në mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Gjatë javës që i parapriu protestës së 16 shkurtit, thirrur nga opozita e bashkuar, qeveria ndërmori një sërë veprimesh që shkelin të drejtën e garantuar të protestës së çdo qytetari.
Fillimisht një njoftim i pazakontë i policisë pohoi se policia kishte dijeni se në protestë do të merrnin pjesë persona me precedentë penalë, ndaj ajo do të ndalonte e kontrollonte mjetet e trasportit ndërqytetas, me qëllim shmangien e destabilizimit të vendit.
Një deklaratë absurde për një vend demokatik, pasi personat me “precedentë” janë persona të cilët janë gjykuar për shkeljet apo krimet që kanë kryer, kanë vuajtur dënimin dhe janë rikthyer në shoqëri me të drejta të plota, si çdo qytetar, përfshi këtu edhe të drejtën e tubimit. Nëse policia ka të dhëna për persona apo për plane që do të ndërmarrin akte destabilizuese, ajo duhet t’i ndalojë ata paraprakisht.
Më pas, Zonja Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, e quajti protestën një alibi për të destabilizuar vendin. Kjo deklaratë bëhet nga politikanë që ende vazhdojnë të përdorin pa reshtur protestën e 21 janarit kundër kundërshtarëve të tyre politikë—një protestë në të cilën (në mënyrë të planifikuar që më parë) u dogjën makina, u sulmua policia, u bënë thirrje për dhunë dhe u ngjyen protestues me bojë të kuqe për të nxitur panik dhe reagime të dhunshme, përpara se të vriteshin në mënyrë kriminale katër protestues të pafajshëm të braktisur nga ata që i thirrën në protestë.
Është e qartë se “destabilizimi” do të jetë justifikimi që policia do të përdorë për të ndalur qytetarët t’i bashkohen protestës ditën e shtunë.
Pas këtyre thirrjeve propagandistike erdhi një tjetër “masë”, këtë herë pengesë konkrete për të vështirësuar pjesëmarrjen: qeveria vendosi mbylljen e plotë të autostradës Tiranë-Durrës për një javë, përfshi ditën e protestës, për të bërë disa riparime pusetash.
Kushdo e kupton që kanalizimi i trafikut të pjesës jugperëndimore të vendit, në rrugën e shkatërruar Durrës-Tiranë, që kalon nga Ndroqi, do të krijojë radhë të gjata trafiku.
Të enjten, u bë publike përgjigja e policisë mbi njoftimin e vendit të zgjedhur nga opozita për tubimin, e cila kërkonte kufizimin, pa arsye, të hapësirës ku do të grumbullohen protestuesit.
Po të enjten, në mbrëmje, u panë punonjës që blindonin derën e Kryeministrisë.
Por ndoshta treguesi më i dukshëm për frikën e Zotit Rama dhe një tjetër përpjekje për të ulur pjesëmarrjen dhe ndikimin e protestës së 16 shkurtit, është vendimi për të zhvilluar një takim të quajtur “Bashkia Që Duam” në Vlorë, një nga bastionet më të mëdha historike socialiste.
Me shumë gjasa e koordinuar me mediat pro qeveritare dhe forumet rinore që paramilitojnë në rrjetet sociale, ky veprim ka disa synime:
— Të marrë një pjesë të vëmendjes mediatike nga protesta, duke dobësuar jehonën e saj në publik;
— Të tregojë që Rama ka mbështetje popullore, që mund ta përdorë për kundra-mitingje apo tubime në mbështetje të tij.
— Të fitojë përparësi në luftën për mbështetje, duke luajtur me garën e numrave; takimi do të zhvillohet në Sheshin e Flamurit dhe do të jetë realisht miting, me pjesëmarrje të siguruar nga shumë vende jashtë Vlorës dhe numrat e tij do të përdoren për të pohuar se një takim lokal i qeverisë konkurron (relativisht) protestën kombëtare të opozitës.
— Ta shfaqë Kryeministrin— të mbyturin nga krimet, abuzimet dhe skandalet e njerëzve të tij në parti e qeveri— kundër të cilit po proteston Shqipëria, në një mjedis josfidues, për të përforcuar idenë se ai vazhdon të jetë popullor.
Në një kohë kur zërat kritikë ndaj Kryeministrit po shfaqen edhe brenda partisë së tij dhe opozita kërkon ta sakrifikohet për një qeveri teknike, Zoti Rama po kërkon të vërë nën kontroll “rrëfenjën” e ditës me mënyrën që njeh më mirë, propagandën.
Propaganda e tij në këto kushte është përqendruar në një pikë: kush është i pushtetshëm, i fortë apo dinak, ka të drejtë të bëjë ç’të dojë.
Duke përdorur hapur manipulimin, mashtrimin, thyerjen e ligjit, blerjen e mediave, deri edhe karagjzollëqet dhe talljet e kundërshtarëve, Kryeministri kërkon t’u thotë shqiptarëve se ai është politikan i zoti, është i fortë dhe dinak.
Rrjedhimisht, ai është edhe i pushtetshëm dhe është e kotë të rreshtohesh kundër tij.
Por janë pikërisht këto strategji, të thurura hollë, që të bëra bashkë, japin një pamje që, në fakt, përcjell frikën që ka kapluar kreun e qeverisë.
Sepse e vërteta, të cilës ai i druhet, është se pavarësisht mediave të blera, kontrollit e shtrembërimit sistematik të fakteve, po shtohet përditë numri i shqiptarë që mendojnë se Edi Rama duhet të ikë, pavarësisht çdo gjëje tjetër.